Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Në adresimin e tij para të pranishmëve, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, ka folur lidhur me zgjedhjet në veri të cilat do të mbahen më 19 maj.
Ai ka thënë se qytetarët e veriut kanë dy zgjidhje, Listën Serbe dhe PDK-në ose Vetëvendosjen.
Sipas Kurtit, Lista Serbe e PDK-ja nuk garojnë me një kandidat të përbashkët por kanë politika të përbashkëta.
Ai thotë se PDK-ja është pro faljes së veriut Serbisë.
“Më datën 19 maj do të mbahen zgjedhjet e pjesshme në komunat në veri. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe i kemi vetëm dy alternative, Lista Serbe dhe PDK ose Vetëvendosja. Lista Serbe dhe PDK-ja nuk janë me kandidat të përbashkët por kanë politika të përbashkëta”, ka thënë ai, duke shtuar se alternativa e vetme për shqiptarët, boshnjakët, turqit e serbet është Lëvizja Vetëvendosje.
Ai tutje ka thënë se kryeministri Haradinaj po qëndron pro taksës jo pse e donë, por sepse ka frik se e humb pushtetin.
Ai tha se Haradinaj e dorëzoi Kosovën tek gabimi i Murat Mehës.
“Serbia shpenzon për ushtri më shumë se të gjitha pesë shtetet e Ballkanit. Ndërkaq krerët tonë nuk kërkojnë më shumë se liberalizimi i vizave. Është e dhimbshme që të gjithë krerët e bëjnë këtë kërkesë për liberalizim, le ta bëjë vetëm ministrja e Integrimeve, e le të gënjejë vetëm njëri nga ta”, ka shtuar ai.
Kjo Qeveri, sipas Kurtit, e ka shtuar korrupsionin e bashkë me të edhe borxhin publik.
Ai thotë se ekonomia e vendit zotërohet nga kompanitë e pushtetit.
“Kosova ka ndërmarrje ekonomike por nuk ka ekonomi ndërmarrëse. Ekonomia kosovare është e kompanive të pushtetit e në krye të tyre janë kompanitë si puna e Devollëve. Kjo qeveri nuk e ka rritur vetëm korrupsionin por edhe borxhin shtetëror e që është rritur mbi 1 miliard euro”, ka thënë ai.
“Kjo qeveri bie lule por jo edhe frutave, më saktë ndonjë lule qytetarëve e frutat familjarëve. Hajnat janë bërë bashkë në PAN, shahen ditë e natë por rrinë bashkë sepse janë të pasigurt”, ka shtuar ai.