Me rezultat të thellë 4-1, Llapi ka shënuar fitore si vendase kundër Trepçës ‘89, njofton Llapi.info

Në këtë ndeshje të xhiros së 30-të, mysafirët kaluan të parët në epërsi kur po zhvillohej minuta 17’, me anë të Lasine Traore.

Pas golit të pësuar, llapjanët u kundërpërgjigjen vetëm katër minuta më vonë, ku në minutën e 21’ top-sulmuesi i Llapit, Ahmed Januzi barazoi gjithçka në Podujevë. Krejt në fund të pjesës së parë mesfushori Behar Maliqi kaloi Llapin në epërsi, pas golit të shënuar me kokë të asistuar nga Mentor Zhdrella.

Me rezultat 2-1 në favor të Llapit përfundoi pjesa e parë në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Edhe pjesa e dytë e ndeshjes foli në të mirë të vendasve, teksa në minutat e fundit realizuan edhe dy gola përmes Ahmed Januzit, i cili kompletoi het-trikun dhe vulosi fitoren e shtatë radhazi për klubin nga Podujeva.

Pas kësaj fitore, Llapi radhitet në pozitën e tretë me pikë të barabarta me Prishtinën që ka 69 pikë apo dy më pak se Feronikeli i vendit të parë, kurse Trepça ‘89 renditet në vendin e pestë me 39 pikë.

Në xhiron e radhës, Llapi zhvillon derbin me Prishtinën, ndërsa Trepça ‘89 pret në shtëpi Ferizajn./Llapi.info