Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e përkujtimit të 183 dëshmorëve të Pejës ka thënë se Kuvendi i Kosovës shumë shpejtë do ta nxjerrë një rezolutë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999.
Me këtë rast, ai tha se në Kosovë shumë shpejtë do të ketë edhe konsolidim të brendshëm. Në një formë ai pranoi edhe mangësitë e udhëheqësve të shtetit por shtoi se shumë shpejtë ditë të mira do të vijnë.
“Shteti ynë ka vështirësi, ka pengesa, kërkohet të bëhet edhe më mirë por askush nuk është i përkryer, por jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Do të ketë ditë të mira dhe progres për shtetin e Kosovës në të gjitha rrafshet edhe në konsolidimin e brendshëm edhe të afirmimit ndërkombëtarë. Kaluan 20 vite por gjithmonë duhet kujtuar me krenari luftën të cilën e kemi zhvilluar por duhet respektuar ato vlera. Ne vetëm sa do të forcohemi edhe si shoqëri edhe si shtet”, tha ai.
“Po kujtojmë në të njëjtën kohë edhe gjenocidin e Serbisë. Edhe angazhimi i fundit i z. Engel është kontribut i jashtëzakonshëm për të vërtetën dhe padrejtësinë që ka ndodhur në Kosovë. Ani pse vonë ishte një stimulim i madh që të vazhdojmë për drejtësinë. Edhe parlamenti në një të ardhme të afërt do ta nxjerrë edhe rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe gjithë kryerësit e krimeve do të ballafaqohen me drejtësinë”, përfundoi Thaçi./Gazeta blic