Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, uroi të gjithë besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Përmes një shkrimi në Facebooj, Kurti uroi që ky muaj t’i bashkojë të gjithë rreth sofrës së solidaritetit.
Ai gjithashtu tha se ky muaj na shërben të kuptojmë se si është të jesh në lëkurën e tjetrit dhe se qëllimi është që ta kultivojmë ndjenjën e solidaritetit.
“Buka e cila sakrifikohet çdo ditë për një muaj, është po ajo që përbashkon në mbrëmje. Disiplinë e sakrificës në bashkësi e solidaritetit, për ditë jomateriale dhe darkë barazimtare. Për pastrim zemrash, kthjellim mendjesh, lartësim shpirtërash. Për karakter më të vendosur e më të përkushtuar për ndryshim e përmirësim. Për ekuilibër mes anës fizike dhe shpirtërore.Kur perëndon dita, mbrëmja është ajo që e shuan urinë dhe e fashit etjen. Por, jo të gjithë kanë mbrëmje. Shumë nga populli ynë po kanë vetëm ditë të gjata pa bukë. Mbrëmja për ta do të vijë kur të perëndojnë zullumi e zhvatja. Atëherë do të vijë edhe buka.Ky muaj shërben që të jemi në këpucët dhe lëkurën e të tjerëve. Ta kuptojmë që të heqësh dorë nga egoja nuk është mësimi i vetëm. Të jetosh përgjithmonë me ndjenjën e solidaritetit është qëllimi. Uroj të gjithë besimtarët muslimanë për Ramazanin! Qoftë ky një muaj që na bashkon rreth sofrës së solidaritetit” ka shkruar Kurti.