Sot janë bërë 21 vjet nga rënia e heroit të kombit Bahri Fazliu, njofton Llapi.info

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë homazhe pranë lapidarit të vëllezërve Fazliu në Llaushë të Podujevës.

”Sot isha në Llaushë të Podujevës, për të nderuar, në 21-vjetorin e rënies, heroin e Kosovës, Bahri Fazliun. Vepra e tij dhe e gjithë dëshmorëve në shërbim të lirisë së atdheut janë frymëzim i përgjithmonshëm për të punuar për shtetin dhe kombin. Lavdi”, ka bërë të ditur Veseli.

Mirëpo, këto homazhe kryekuvendari i ka kryer i vetëm, kështu duke injoruar plotësisht degën e PDK-së në Podujevë. E krejt kjo, siç mëson Llapi.info për shkak se në zgjedhjet e brendshme të mbajtura të PDK-së në këtë Komunë nuk ka fituar i preferuarit i tij, Fahri Osmani.

Ndryshe, Fazliu më 7 maj të vitit 1998 ra heroikisht në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi. Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kujtojmë, për këtë përvjetor edhe i pari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Bilall Sherifi dhe deputeti Haxhi Shala, kanë vizituar familjen e heronjve të Kombit, Fahri e Bahri Fazliu./Llapi.info