Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e rregullt, të mbajtur sot, miratoi vendimin për vënie në diskutim publik Programin Trevjeçar të Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës; vendimin për dhënie në shfrytëzim disa pronave të palujtshme të Komunës dhe shqyrtoi raportin financiar për tremujorin e parë të vitit 2019, njofton Llapi.info

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë së Pronës Kadastrit dhe Gjeodezisë, Abaz Llugaliu, arsyetoi para këshilltarëve nevojën e dhënies në shfrytëzim të disa pronave komunale.

Pas diskutimeve të këshilltarëve komunalë lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi miratoi vendimin që të jepen në shfrytëzim, prona e paluajtshme e Komunës në fshatin Lupç i Poshtëm; prona e paluajtshme e Komunës në fshatin Dumnicë e Poshtme; lokalet në Tregun e Qytetit dhe pronat e paluajtshme për dhënie në shfrytëzim KEDS-it.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, prezantoi propozim Programin Trevjeçar i Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës.

Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, pas diskutimeve të këshilltarëve, Kuvendi miratoi vendimin për vënie në diskutim publik të Propozim Programit Trevjeçar i Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës. Kuvendi gjithashtu vendosi që ky dokument të jetë në diskutim publik nga data 13 maj deri më 10 qershor 2019, kurse debati publik me do të mbahet më 29 maj 2019 në orën 10.00.

Raportin financiar të Komunës për periudhën janar – mars 2019 e paraqiti drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

Në bazë të raportit të prezantuar, shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-mars 2019 kanë arritur shumën prej 3,541,416. Prej tyre për paga dhe mëditje janë shpenzuar 2,971,373 euro, për mallra dhe shërbime 234, 686 euro, për subvencione e transfere janë shpenzuar 28,740 euro, kurse për investime kapitale janë shpenzuar 219,658 euro.

Në tremujori e parë kë këtij viti Komuna ka arkëtuar 537, 191 euro të hyra vetanake, prej tyre shuma më e madhe është arkëtuar nga kategoria e tatimit në pronë prej 109, 662 euro.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi mori vendim për emërimin e dy anëtarëve në Komisionet e Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Stacioni i Autobusëve – Podujevë dhe dy anëtarëve Ndërmarrjen Publike për Banim Sh.A.- Podujevë. Këshilltarët komunalë Hasan Ajeti (LDK) dhe Rafet Llapashtica (PDK) u emëruan anëtarë të Komisionit në Ndërmarrjen Publike Stacioni i Autobusëve – Podujevë, kurse këshilltarët Bunjamin Hoti (LDK) dhe Arber Blaku (PDK) u emëruan anëtarë të Komisionit në Ndërmarrjen Publike për Banim Sh.A.- Podujevë.

Kuvendi gjithashtu votoi për zëvendësimin e një anëtari në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB. Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Zogiani emërohet anëtarë i KKSB në vend të ish-Komandantit Bekim Bislimi.

Në mbledhjen e sotme grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një shkrese ka informuar Kryesuesin e Kuvendit se në vend të shefit të deritashëm të këtij grupi, Rafet Llapashtica, shef i grupit të këshilltarëve të këtij subjekti politik është caktuar Fatmir Rudari./Llapi.info