Më 5 maj është shënuar Dita e Dëshmorëve në Podujevë, ku për këtë ditë Komuna kishte organizuar disa aktivitete. Mirëpo, këto aktivitete për shënimin e kësaj dite nuk i kanë pëlqyer Lëvizjes Vetëvendosje në këtë degë, njofton Llapi.info

E, për këtë sot edhe është debatuar në seancën e rregullt të mbajtur në Kuvendin e Podujevës. Shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri, ka kritikuar ekzekutivin për siç e ka quajtur ai, mosorganizimin e një tubimi përkujtimor në nderim të dëshmorëve.

“Për Ditën e Dëshmorëve të cilët kanë dhënë jetën që na sot e gëzojmë lirinë, është për të ardhur keq që Komuna e Podujevës e neglizhon ditën e 5 majit, ditë kjo e caktuar nga Komuna që të kujtohet vepra e dëshmorëve, dhe nuk ka qenë në gjendje as edhe një program organizativ me bë për këtë ditë. Një program ka qenë më e pakta që mund të bëhej për dëshmorët nga Komuna”, ka thënë Haziri.

Duke folur rëndësinë e një programi, Haziri përpara Kuvendit ka shpalosur fotografinë e një shfaqjeje të mbajtur në sallën e teatrit “Avdush Hasani”, fotografi që solli dyshime përpara asamblesë.

“Është e vërtetë që na keni ftuar për homazhe, por nuk e kemi parë të arsyeshme që bëhemi pjesë e ekipit të juaj. Nuk i takojmë partisë tende që të vijmë prapa për të bërë homazhe. Homazhet i bëj unë me parti time, ndërsa te programi është postuar drama “Room no.13”, me këso foto të nderohen dëshmorët kjo është “no sens”. Vitin e kaluar ka pasur program dhe janë nderuar familjarët e dëshmorëve”, ka thënë Haziri.

Pas këtyre akuzave ka reaguar nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili e ka mohuar se për këtë ditë komuna e Podujevës nuk ka organizuar programe. Ndërsa, sa i përket fotografisë, Rudari ka shtuar se tematikë ka pasur “përdhunimet në luftë”, shfaqje kjo e dhënë në Ditën e Dëshmorëve.

“Nuk qëndron konstatimi i Hazirit që Komuna ka injoruar dhe nuk ka organizuar program për Ditën e Dëshmorëve. Nuk e di se çfarë nënkupton me program, a nënkupton me dhezë fishekzjarrë dhe me gjujt me alltia, apo ajo çfarë ka ndodhur më 5 maj. Është filluar një ditë më herët me një shfaqjen e një drame me një tematikë me luftën e fundit, me përdhunimet, e më pastaj më 5 maj me homazhe pranë shtatoreve dhe varreve të dëshmorëve. Në këtë delegacion kanë qenë të ftuar të gjithë shefat e grupeve parlamentare, siç ka qenë edhe përfaqësuesi i VV-së, por këta e kanë parë të arsyeshme që homazhe t’i bëjnë me partinë e tyre, e jo me delegacionin zyrtar të Komunës. Pastaj kanë vazhduar aktivitetet kulturore dhe sportive, siç ka qenë promovimi i librit “Vetmia” të autorit Bislim Aliu, dhe ka përfunduar me finalen në futboll në fshatin Kërpimeh”, ka thënë Rudari.

Ndryshe, në seancën e sotme janë miratuar disa pika të rendit të ditës./Llapi.info