Prishtina ka arritur të shënojë fitore në xhiron e 31-të në elitën e futbollit kosovar, pasi në shtëpi ka mposhtur Llapin me rezultat 1-0, njofton Llapi.info

Pjesa e parë e ndeshjes në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat të barabartë 0-0, përkundër faktit që të dyja ekipet patën raste të mira shënimi. Krejt në fund të pjesës së parë, futbollisti i Llapit, Valmir Veliu pësoi lëndim serioz në duel me Diar Miftara. Fillimisht, ai e kishte humbur vetëdijen dhe është intervenuar me oksigjen dhe më pas i është kthyer vetëdija pas ndihmës mjekësore, teksa mësohet se gjendja e tij tani është stabile.

Edhe në 45 minutëshin e fundit, Prishtina e Llapi krijuan raste të volitshme shënimi, teksa krejt në fund Prishtina realizoi me anë të Mërgim Pevqelit.

Pas kësaj humbje, Llapi zbret në pozitën e tretë me 69 pikë, tri më pak se Prishtina e vendit të dytë dhe 5 se lideri Feronikeli që mposhti lehtësisht sot Dritën.

Në xhiron e radhës, Llapi pret në shtëpi Feronikelin, ndërsa Prishtina pret Trepçën ’89./Llapi.info