Skuadra e Tahir Batatinës, Llapi është mposhtur minimalisht (1-0), nga rivali për titull Prishtina, njofton Llapi.info

Golin e vetëm krejt në fund të kësaj ndeshje e cila mblodhi më së shumti tifozë në këtë edicion, e shënoi Mërgim Pefqeli, kur po zhvillohej minuta 88-të.

Pas kësaj humbje, tashmë Llapi radhitet në pozitën e tretë me pesë pikë larg kreut.

Me të përfunduar ndeshja, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka ‘shpërthyer’ me akuza ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjyqtarëve të ndeshjes. Sipas tij, Prishtina nuk e meriton të shpallet kampion në edicionin 2018-19.

“FFK dëshiron ta bëjë Prishtinën kampion me zor. Ishte penalti klasike te rasti i Festim Alidemës. Për këtë arsye kemi kërkuar gjqytarë ndërkombëtarë, pasi që i kemi pritur këto situata. Me çdo kusht tentuan ta mposhtin Llapin, tani dhe katër vite. Këta janë të korruptuar deri ne fyt. Skuadra ime u penalizua shumë në këtë ndeshje”, ka thënë ai.

Tutje, Batatina ka folur edhe për rastin e mesfushorit Valmir Veliu, i cili nga përplasja me Diar Miftaraj mbeti i lënduar rëndë, me ç’rast edhe është dërguar në QKUK.

“Nuk pati as karton e as asgjë tek rasti i Veliut në pjesën e parë, sikurse nuk i mjaftoi gjyqtarit që u dërgua me autoambulancë në QKUK. Me këta gjyqtarë ne nuk mund të bëhemi kampion”, ka shtuar Batatina për SuperSport.

“Prishtina nuk e meriton të bëhet kampion, të gjitha ndeshjet i ka fituar në këtë formë, me zhagitje dhe me arbitra”, ka përfunduar i zhgënjyer Batatina.

Ndryshe, Llapi në xhiron e radhës në “Zahir Pajaziti”, pret liderin Feronikelin./Llapi.info