Në këtë intervistë për gazetën “DITA’, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, flet mbi përplasjet e ditëve të fundit mes udhëheqësve politkë në Tiranë dhe Prishtinë për debatin mbi taksën dhe atë mbi kufijtë.

Ai u përgjigjet deklaratave të Haradinajt se Thaçi dhe Rama i kanë kërkuar më me ngulm se vetë Vuçiç, heqjen e taksës.

Thaçi flet në këtë intervistë edhe për deklaratat e fundit të Sali Berishës, sipas të cilit Thaçi duhet të shkojë në Hagë, një qëndrim që më herët e ka mbajtur vetëm presidenca serbe.

“Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit. Sali Ramë Berisha ka kryer krim të rëndë kundër UÇK-së kur është angazhuar në një fushatë armiqësore shpifjesh kundër saj, paralelisht me fushatën ushtarake të Slobodan Milosheviqit. E kam falur këtë duke e shikuar si një gabim strategjik të një politikani dhe i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit. Sot vërtet ndiej keqardhje për të. Ai është bërë krye-protagonist i përçarjeve brenda-shqiptare tash e tri dekada. Duket se ky ka qenë misioni i tij. Por tash është në gërhimat e fundit të tij. Kjo është trashëgimia e tij”, thotë presidenti kosovar.

Intervista e plotë e Thaçit:

Zoti President, ka qenë një periudhë e vështirë kjo kohë për Kosovën, kanë ndodhur përplasje, reagime, thënie, kundërthënie. Zoti Haradinaj ju akuzoi ju dhe zotin Rama se, edhe më shumë se presidenti serb Vuçiç, ngulët këmbë për heqjen e taksën për prodhimet serbe. Edi Rama e mohoi këtë. Pra, një pohim e një mohim në të njëjtën kohë. Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Thaçi: Më lejoni të kthehem te hyrja që bëtë. Koha që ju po e quani “e vështirë” mund të shihet edhe si kohë e shpresës dhe mundësisë për të arritur një marrëveshje paqeje, të përhershme, përfundimtare, gjithëpërfshirëse, në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sillte njohjen e Kosovës nga Serbia si dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Më lejoni t’ua kujtoj se në gjashtë muajt e fundit kemi pasur dy letra të dërguara nga vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e në të cilat fton që të shfrytëzohet kjo mundësi, që mund të mos përsëritet për dekada të tëra, dhe të arrihet një marrëveshje dhe për të mos lejuar që të përsëriten tragjeditë e së kaluarës. Madje, Presidenti Trump i Shteteve të Bashkuara ftoi që kjo marrëveshje të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë.

Shtojani kësaj implementimin me sukses të Marrëveshjes së Prespës në mes të asaj që sot është Maqedoni e Veriut dhe Greqisë, që gjithashtu është arritur me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.

Pra, kemi një mundësi për një ndryshim kualitativ të gjendjes në Kosovës dhe në rajonin tonë në përgjithësi.

Vitin e ardhshëm në SHBA janë zgjedhjet për President; në institucionet e BE-së do të ketë liderë të ri të institucioneve të cilët nuk do të merren me Kosovën e Ballkanin në fillim të mandatit të tyre, së paku jo deri sa të akomodohen në zyrat dhe detyrat e tyre. Pra, me shumë gjasë vëmendja do të largohet nga Kosova dhe nga rajoni ynë dhe kush e di se kur do të krijohet një momentum i ri, pozitiv, për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë e në rajon.

Sa për taksat, është vendim i drejtë dhe krejtësisht legjitim i Kosovës që t’i përgjigjet agresionit diplomatik të Serbisë. Mund të thuhet se Kosova ka qenë e detyruar që të veprojë kështu, pra të marrë vendimin për taksat.

Serbia, në anën tjetër, krejtësisht në kundërshtim me frymën e promovuar që nga fillimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë që procesi të mos kushtëzohet nga asnjëra palë, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksave në mallrat e Serbisë.

Gjithashtu, është e vërtetë edhe se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, institucionet e BE-së, shtete tjera e organizata tjera ndërkombëtare, kanë kërkuar që Kosova të heqë taksat dhe t’i jap mundësi dialogut. E njëjta kërkesë është përsëritur nga liderët e Gjermanisë dhe Francës edhe në takimin e Berlinit.

Ju është kërkuar heqja e taksës apo pezullimi i saj?

Thaçi: Në fakt, kërkohet suspendimi i taksës e jo heqja e plotë. Pra, nga Kosova kërkohet që taksat të suspendohen për një kohë të caktuar, ashtu që të mund të vazhdojë dialogu.

Qëndrimi im konsistent është se taksa ka qenë dhe mbetet një vendim legjitim dhe i drejtë. Si e tillë duhet të mbetet në fuqi. Këtë e kam thënë në vazhdimësi dhe e kam ritheksuar edhe në Berlin. Gjithçka tjetër është spekulim i nivelit të ulët.

Ju pyeta edhe mbi mohimin e z.Rama lidhur me deklaratat e z.Haradinaj…

Thaçi: Kryeministri Rama është sqaruar për këtë çështje duke treguar të vërtetën. Përpjekjet e kujtdo-qoftë për të trilluar të pavërteta, mbeten vetëm përpjekje e dobët për vëmendje dhe mburrje.

Zoti President, kemi disa deklarata të ashpra të zotit Haradinaj edhe lidhur me kufijtë e Kosovës. Dy ditë më parë ai deklaroi se “kush flet për kufijtë me një shtet tjetër është armik i Kosovës”. Kaq larg kanë shkuar punët? E kam fjalën z.Haradinaj ka këtë qëndrim, ju shfaqeni ndryshe, kërkoni të ketë më shumë hapësirë. Pra kaq larg kanë shkuar punët sa që, edhe luftëtarët e UÇK-së, më saktë, drejtuesit e saj, po kërkojnë armiq mdis tyre?

Thaçi: Të gjithë kërkojmë atë që mendojmë se është më e mira për Kosovën. Kjo nuk na bën armiq në mes vete. Me përvojën time në negociata të rënda ndërkombëtare, e di se lëvizim përpara duke qenë të hapur, konstruktivë por edhe këmbëngulës kur është nevoja.

A ka pasur një plan për ndryshimin e kufijve? Ka zëra që thonë se ka qenë një mendim për të dhënë Leposaviqin, apo ndonjë komunë tjetër, si Zveçanin, dhe të bashkohet me Kosovën një pjesë e Luginës së Preshevës. Ka diçka të vërtetë në të gjithë këtë?

Thaçi: Z.Thano, kam lexuar edhe unë lajme edhe për kufijtë, madje kam parë edhe harta të publikuara. Mund të them se asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Janë thjeshtë “fake-news”. Nuk ka asnjë plan. Ka pasur përpjekje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pra që mbyll çdo çështje të hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë.

BE ka bërë të qartë qysh në samitin e Sofjes para një viti se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të hyjnë në BE deri sa nuk i mbyllin të gjitha çështjet e hapura që kanë në mes tyre. Një nga pikat e kësaj marrëveshjeje gjithëpërfshirëse do të ishte edhe ajo për përcaktimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ju keni përdorur shprehjen “korrigjim kufijsh”. Fjala korrigjim, në fakt, është një zvogëlim i fjalës ndryshim. Çfarë kini ju parasysh kur flisni për korrigjim e jo ndryshim?

Thaçi: Ta qartësoj që në fillim – nuk pranoj të bëhet pazar me tokën e Kosovës, jam kundër kufijve përgjatë vijave etnike; dhe jam për respektim të plotë të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. Por, duke parë se çfarë po ndodh në Luginën e Preshevës, ku diskriminimi i vazhdueshëm i komunitetit shqiptar nga ana e shtetit të Serbisë po i shtyn shqiptarët që të largohen nga vendi i tyre, kam kërkuar që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Kjo është mënyra e vetme për ta shpëtuar këtë pjesë nga pastrimi etnik, por edhe për të korrigjuar padrejtësitë historike. Kam takuar disa herë liderët politikë por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Lugina e Preshevës. Të gjithë ata e shprehin frikën që brenda pak vitesh në Luginën e Preshevës më nuk do të ketë shqiptarë.

Në një afat më të gjatë, vizioni ynë për kufijtë është që në tërë rajonin tonë të kemi kufij sikur ata në BE. Të kemi liri të plotë të lëvizjes dhe qarkullimit të njerëzve e mallrave. Kosova dhe Shqipëria janë duke punuar që t’i provojmë edhe në rajonin tonë këto modele të kufijve europiane.

Megjithëse kohët e fundit e keni pasur një kundërshtar të fuqishëm – Rexhep Qosja e ka mbështetur tezën e ndryshimit të kufijve, duke propozuar që duhen dhënë komunat me shumicë dërrmuese serbe, që janë të humbura sipas tij dhe të merren trojet shqiptare që mund të humben. Është tabu të diskutohet kjo?

Thaçi: Fuqia e vërtetë e Kosovës ka qenë aftësia jonë që të mos lejojmë asnjë temë të mbetet tabu. Në vitet ‘90 nuk lejuam që të mbetej tabu lufta e armatosur kundër pushtuesit serb; nuk lejuam të mbetet tabu e drejta jonë për liri e pavarësi pa marr parasysh se çfarë thoshte bota.

Mu duke prekur tabutë mësuam të manovrojmë skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të bëjmë kompromise gjatë rrugës, të gjejmë se cili është çmimi që duhet paguar për të lëvizur përpara; por duke mbajtur gjithmonë sytë te synimi ynë përfundimtar, liria dhe pavarësia e Kosovës në të kaluarën; ndërsa sot konsolidimi i plotë ndërkombëtar i shtetit të Kosovës dhe integrimi i vendit tonë në NATO dhe në BE.

Z.President, në opinionin publik në Tiranë është krijuar bindja se tashmë ka një ndarje: nga njëra anë ju dhe kryeministri Edi Rama, ndërsa nga ana tjetër kryeministri i Kosovës dhe presidenti Ilir Meta. Vërtet jeni ndarë kështu? Keni disponim për marrëdhënie të veçuara, apo e gjitha është një lojë politike?

Thaçi: Unë kam marrëdhënie të mira me të gjithë liderët politikë shqiptarë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë Veriore, në Mal të Zi. Të gjithë punojmë për më të mirën për shtetet tona respektive por mbi të gjitha punojmë për të mirën e popullit shqiptar kudo që është. Mund të kemi dallime për rrugën si të realizojmë këta interesa, por nuk dallojmë në atë që dëshirojmë më të mirën për popullin tonë.

Kohët e fundit edhe Sali Berisha ka bërë disa akuza të rënda ndaj jush. Dikur nuk ka qenë kështu. Çfarë ka ndodhur mes jush?

Thaçi: Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit. Sali Ramë Berisha ka kryer krim të rëndë kundër UÇK-së kur është angazhuar në një fushatë armiqësore shpifjesh kundër saj, paralelisht me fushatën ushtarake të Slobodan Milosheviçit. E kam falur këtë duke e shikuar si një gabim strategjik të një politikani dhe i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit.

Në maj të vitit 1999, kur ka qenë i izoluar nga shqiptarët dhe nga bota, unë e kam takuar sepse nuk kam dashur ta shpalli e ta trajtoj si armik apo si tradhtar. Kam vlerësuar gjithmonë se armiqësitë në mes vetë shqiptarëve janë më të rënda se vetë plumbat e Serbisë. Jam munduar ta respektoj atë në komunikimin tonë prej më shumë se dy dekadash.

Realisht, ai është sjellë mirë gjatë bashkëpunimit që kishim si kryeministra. Por fatkeqësisht, sot ai është kthyer në vendin e krimit dhe ka shkuar edhe më larg. Ndiej keqardhje për të sepse sot është shndërruar në një gërmadhë politike e shoqërore shqiptare. Fatkeqësisht, për të paska pasur shumë të drejtë Ibrahim Rugova që për vite të tëra nuk pranoi t’ia jepte dorën, dhe kështu qëndroi deri sa u nda nga jeta.

Megjithatë, unë nuk i quaj kurrë armiq apo tradhtarë njerëzit qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri,e që kanë mendime ndryshe nga unë. Përkundrazi. I dëgjoj dhe i respektoj të gjitha opinionet dhe i peshoj argumentet e secilës ide, pa marrë parasysh prej kujt vijnë.

Vetvetiu shtrohet pyetja – pse Sali Ramë Berisha nuk guxon të përmendë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Nexhat Dacin, apo zyrtarë tjerë të lartë të LDK-së, që kanë folur për shkëmbim territoresh? Unë personalisht kam qenë dhe jam kundër një ideje të tillë.

E kush është ky patriot që na flet sot? Kur Berisha i bënte argat Sllobodan Milosheviqit, në vitet ‘92-‘95, unë me bashkëluftëtarët e mi e luftonim makinerinë vrastare të Milosheviqit, të njëjtën që ai e furnizonte me karburante, duke shkelur edhe sanksionet ndërkombëtare që i kishte vënë Perëndimi. Ky kontrabandist strehoi edhe kryekriminelin Arkan, duke i plotësuar të gjitha qejfet atij.

Vërtet ndiej keqardhje për të.

Ai është bërë krye-protagonist i përçarjeve brenda-shqiptare tash e tri dekada. Duket se ky ka qenë misioni i tij. Por tash është në gërhimat e fundit të tij. Kjo është trashëgimia e tij.

Kosova nuk ja bëri trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. As nuk i grabiti shqiptarët përmes fajdeve. Kosovës nuk mund t’i vihet faji as për 21 janarin apo për Gërdecin, apo mëkatet dhe aktet tjera kriminale. E sidomos Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e fushatës politike elektorale në Shqipëri.

Berisha u shpreh që ju duhet të dërgoheni në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, diçka që deri më sot e ka artikuluar vetëm presidenca , por edhe shërbimet serbe. Jeni dënuar në mungesë nga gjykata e instaluar serbe në Kosovë, me 10 vite burg, në të njëjtin gjykim me Adem Jasharin dhe Grupin e Drenicës. Keni ju drojë nga kjo Gjykatë, e ngritur veç të tjerash me miratimin tuaj?

Thaçi: Zoti Thano, e thatë edhe vetë në pyetjen tuaj se cilët janë ata që dëshirojnë të më godasin mua, pa zgjedhur mjete. E di që kam qenë dhe u mbes halë në sy të gjithë atyre që nuk ja duan të mirën Kosovës. Kam qenë lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam udhëhequr delegacionin kosovar në Rambouillet, kam shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe tash po i udhëheq proceset për konsolidim të plotë të brendshëm e ndërkombëtar të Kosovës. Sigurisht që gjatë këtij rrugëtimi kam bërë edhe armiq.

Sa për Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale, siç e quajmë më shpesh, ajo është një gjykatë e Kosovës, e krijuar nga institucionet e Kosovës. Armiqtë e shtetit të Kosovës kanë investuar shumë në përhapjen e të pavërtetave për Kosovën, duke bërë përpjekje për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së. Këto përpjekje do të dështojnë.

Kur ju keni filluar detyrën tuaj si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, njëra ndër thirrjet e para ka qenë ajo drejtuar banorëve serbë të Kosovës për një jetë, të themi të paqtë. Atëherë, edhe nga bashkëpunëtorët tuaj, keni pasur kundërshtime, sepse u është dukur dobësi. Tani, pas kaq viteve, mendimi juaj ka avancuar? Pyetja ime është: a besoni vërtet se ka shanse për jetë të përbashkët mes shqiptarëve dhe serbëve?

Thaçi: Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Kosova ka përqafuar standardet më të larta ndërkombëtare për integrimin e komuniteteve, për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre. Kemi instaluar të ashtuquajturin parim të “diskriminimit pozitiv” për komunitetet jo-shumicë. Si rezultat i kësaj edhe serbët e Kosovës janë integruar në institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet, nga komunat deri në qeveri. Serbët e Kosovës janë pjesë edhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. FSK ka hapur konkurs për kadetë të ri dhe përsëri janë paraqitur numër i madh edhe i serbëve të Kosovës.

Pra, Kosova mbetet shtëpi e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të. Institucionet e Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë akomodim të plotë të të gjitha komuniteteve.

Si President i Republikës së Kosovës kam ndërmarrë iniciativën edhe për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim, i pari i tillë në rajon. Komisioni do të punojë për pajtim brenda-kosovar, në mes të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, e në veçanti në mes të shqiptarëve e serbëve, pra do të mbyll kapitullin e luftës dhe konfliktit në mes grupeve etnike dhe të vejë paqe e pajtim në mes të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Drejtori politik i UÇK-së, drejtues i Delegacionit shqiptar në Rambuje, njeriu që lodhi edhe zonjën Ollbrajt, kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, shef i opozitës, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, përsëri kryeministër, tani President. Ku do të jetë Hashim Thaçi pas disa viteve?

Thaçi: Pyetja nuk është se ku do të jetë Hashim Thaçi – Hashim Thaçi do të jetë aty ku ishte gjithmonë, duke punuar për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Pyetja është se ku do të jetë Kosova pas disa viteve. Shpresoj dhe besoj që do të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE-së, së bashku me Shqipërinë dhe tërë rajonin tonë.