Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është kandidati i vetëm për kryetar të degës së PDK-së në Prishtinë.

Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie në Prishtinë sot do të votojë për të parin e tyre, njofton Klan Kosova.
Ismaili në tubimin e këtij Kuvendi tha se vullneti i partisë së tij dhe fitoret e saj ishin inspirim për të kandiduar në një pozitë të tillë.

“Nën Platformën e Dekadës së Re, të dizajnuar dhe udhëhequr nga Kryetari Kadri Veseli, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së është duke zënë vend gjithandej në Kosovë. Për këtë arsye, PDK ka themeluar shumë nëndegë afër qytetarëve të Prishtinës, ndërkohë që qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë kurrë më të hapur dhe më të interesuar për të parë dhe dëgjuar se çfarë mund t’u ofrojmë atyre”.

“75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë. Numri dhe formati i tyre janë shtylla të një modeli që rrit pjesëmarrjen e qytetarëve të Prishtinës në procese politike dhe që rrit hisen e tyre të vendimmarrjes”.

“Këto zgjedhje të brendshme janë përpjekje për të mësuar nga përvojat e kaluara dhe mobilizuar çdo potencial e kapacitet për fitoret e së ardhmes. Vullneti i fortë i partisë sonë, i kalitur në luftën çlirimtare dhe i formësuar në shumë fitore të zgjedhjeve, është dëshmi dhe frymëzim yni për të qenë parti e parë në Prishtinë”.

Ismaili tha PDK-ja është e gatshme për të luftuar për degradimin e qytetit dhe se do të përballen me këdo që tenton ta bëjë një gjë të tillë.

“Prishtina ka shumë probleme dhe pak zhvillim. Ka shumë defekte dhe pak vizion. Ka shumë kokëçarje dhe pak ide për ta nxjerrë atë nga humnera e trafikut të paralizuar urban, nga kaosi arkitekturor që ka lënë shumë dritare pa rreze të diellit, nga vrazhdësia e betonit që ka shtypur brutalisht çdo hapësirë të gjelbër, nga ajri i ndotur që shkurton jetë dhe nga shëmtia e mbeturinave që na turpëron”.

“Ky është realiteti i dhimbshëm për secilin që merr frymë në Prishtinë, për çdo fëmijë dhe të rritur, për çdo person dhe familje, për çdo çift dhe shtëpi. Prishtina nuk mund të vazhdojë më kështu. Ajo i ka të gjitha atributet për zhvillim të madh. Gjendja aktuale e Prishtinës nuk është e drejtë dhe duhet të ndryshohet. Partia Demokratike e Kosovës do ta krijojë një klimë që i hap rrugë ndryshimit të madh”.

“Si njeri që aspiratat politike i ka të lidhura krenarisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe jetën në dashuri me kryeqytetin, unë kam marrë përsipër një angazhim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Të jem Kandidat për Kryetar të PDK-së në Prishtinë”.

Ismaili ka kërkuar votën duke thënë se Prishtinës dhe vetë PDK-së i duhet një transformim me një punë të përkushtuar.

“Prishtina meriton më mirë, kurse ne mund të ofrojmë e punojmë më shumë. Ky edhe është synimi i Dekadës së Re për Prishtinën, një transformim i PDK-së dhe i Prishtinës. Një periudhë e re plot përkushtim, vëmendje e përmirësim”.

“Kërkoj besimin tuaj, votën tuaj, që të vazhdojmë punën e nisur muaj më parë. Të vazhdojmë me misionin tonë për t’i dhënë fund agonisë që është imponuar nga qeverisjet e dështuara për shumë vjet në Prishtinë”.

“Të hapim zyre të reja nëpër lagje dhe fshatra, që të afrohemi edhe më shumë me qytetarin. Të kalojmë në nivelin tjetër, ku përmes debateve racionale, t’i energjizojmë dhe shtojmë radhët tona”.

Ismaili gjithashtu tha se dashuria e prishtinasve dhe frustrimi i tyre do të jenë në prioritetet e tij për të ndryshuar kryeqytetin.

“Pakënaqësitë, peripecitë, shpresat dhe dashuria e prishtinasve për qytetin e tyre duhet të shndërrohen në një ndërmarrësi të madhe të PDK-së të përbashkët me qytetarin, për Prishtinën. Frustrimet e shpërndara në pjesë të ndryshme të qytetit do të adresohen në zyrat e PDK-së”.

“Qytetarëve të harruar nga qeverisjet e deritashme, do t’u afrohemi dhe do t’i ftojmë që edhe ata ta bëjnë hapin e tyre drejt dyerve tona të hapura dhe bashkërisht ta mundësojmë ndryshimin. Lagjet tona do të shndërrohen në hapësira ku ndryshimi pozitiv zë vend, ku qytetarë të veçantë angazhohen në projekte të përbashkëta, ku pakënaqësitë individuale shndërrohen në aspiratë kolektive”.

“Nga brendia e qytetit, në lagjet periferike e deri në fshatra, Partia Demokratike do ta etablojë veten si adresa e vetme dhe më e mirë e ndryshimit të Prishtinës. Unë jam i gatshëm, që së bashkë me ju, qytetit tonë t’ia japim më të mirën”.

“Andaj, kandidatura ime, sa është kërkesë e besimit për të udhëhequr, aq është edhe lutje që bashkë me ju t’i shërbejmë Prishtinës me dashurinë, energjinë dhe vëmendjen që e meriton”.