Banorët e Karaçevës po vazhdojnë të përballen me patrullimet e xhandarmërisë serbe në fshatin e tyre.

Ani pse kjo problematikë është që një kohë të gjatë, e njëjta po vazhdon edhe sot e kësaj dite, shkruan lajmi.net.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj e ka ngritur në seancën e sotme këtë çështje. Madje ai ka thënë se edhe vetë është përballur me xhandarmërinë serbe në këtë pjesë.

Sipas tij, KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë krijuar një rrugë alternative për të mos u takuar me xhandërët serbë.

“KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë krijuar një rrugë alternativë  për të mos kaluar nga ajo rrugë. Ajo çfarë dua t’i them qytetarëve është se si me syt e mi xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës. Pyetja ime ka të bëjë në lidhje me demarkimin, se a do të përfshihet edhe kjo pjesë në këtë proces”, ka thënë Rexhaj.