Sot, janë bërë dy vjet nga vdekja e ish-deputetit nga Podujeva, Agim Kikaj, njofton Llapi.info

Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar deputetin e Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj.

“Para dy vitesh Kosova dhe LDK-ja humbi veprimtarin e shquar politik dhe njeriun e mrekullueshëm, Agim Kikajn. Agimi kishte veti të larta njerëzore dhe të punës. Përkushtimi për qytetarët e Kosovës dhe veprimtaria e tij politike për ndërtimin e paqes dhe institucioneve demokratike të Kosovës, e bëjnë atë sot të paharrueshëm. Agimi ishte personalitet i kompletuar, atdhetar dhe intelektual, në veçanti njeri me shumë respekt. Ai ishte një prej personaliteteve kryesore politike në Kosovë.

Agimi ishte miku im dhe i gjithë qytetarëve. Modestia e tij, përkushtimi për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të qytetarëve të Kosovës dhe përkushtimi për mbrojtjen e qëndrimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bëjnë atë shëmbëlltyrë për të gjithë ne. Me përkushtimin e tij më të madh i dha Kosovës një veprimtari të pasur dhe la pas një biografi të jashtëzakonshme. Kosova dhe Lidhja Demokratike i janë mirënjohëse për kontributin e tij të madh. Lavdi jetës dhe veprës së veprimtarit, Agim Kikaj!”, ka shkruar Mustafa./Llapi.info