Foto: Llapi.info

Shefi Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Podujevë, Fatmir Rudari, ka reaguar në lidhje me dështimin e garës së diturisë në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info

Ky test ishe paraparë të mbahej edhe në këtë Komunë, teksa përgatitjet ishin bërë si nga shkollat dhe nxënësit e kësaj komune. Por, në momentet e fundit ky testim dështoi.

E në lidhje me këtë, Rudari ka shkruar se për këtë garë ishin organizuar rreth 19 mijë nxënës dhe mbi një mijë mësimdhënës, por që testet nuk ishin sjell nëpër shkolla.

“Siç e dimë të gjithë, me 11 maj të këtij viti ishte caktuar dita kur do të mbahej Gara e Diturisë në nivel vendi, po ashtu ishte caktuar dhe planifikuar edhe në Komunën e Podujevës. Në Podujevë pra ishin organizuar rreth 19 000 nxënës dhe mbi 1000 mësimdhënës për të mbajtur këtë garë diturie. Ditën e caktuar, mësimdhënësit janë paraqitur në objektet shkollore së bashku me nxënës për mbajtjen e testit, por përkundër pritjeve të gjata, testet nuk ishin sjellë në shkolla, ndonëse në mungesë të testeve mësimdhënësit së bashku me nxënës janë detyruar që të shkojnë në shtëpi pa pasur njohuri për dështimin e garës ende të pa filluar. Kjo ishte një garë vullnetare për nxënësit, ndonëse intersi dhe pjesëmarrja e tyre ishte jashtëzakonisht e lartë. Ne edhe tani e tutje në komunën tonë nuk kuptuam pse dështoi kjo garë”, ka shkruar Rudari.

Sipas tij, dyshohet se këto teste ishin pranuar pas orës 16:00 nga roja e Kuvendit Komunal të Podujevës, një ditë para garës. Të njëjtat, sipas Rudarit, nuk ishin shpërndarë nëpër shkolla nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë.

“Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Podujevë nuk kishte njoftuar drejtorët e shkollave fare për dështimin e tillë, dhe kjo mungesë transparence dhe mos njoftim të deritanishëm besohet se ishte një lojë ping-pongu e politikave ditore partike e që rezulton; “Qeveria qëndrore duke gjujtur me angazhime tek qeveritë komunale, ndonëse këto të fundit nga frika e poenave politike aty ku nuk ishin në vijë partiake me qeverinë qëndrore ta dështojnë në heshtje këtë garë”, nga e gjithë kjo lojë puro politike pësuan nxënësit-fëmijët tanë të cilët kishin interes për pjesëmarrje, përkundër disa vërejtjeve dhe kritikave nga disa Këshille të Prindërve në nivel vendi. Informata e pakonfirmuara që tani qarkullojnë janë se në Komunën e Podujevës testet ishin pranuar pas orës 16:00 nga roja e Kuvendit Komunal të Podujevës një ditë para garës, andaj për mosshpërndarjen e testeve në shkolla duhet të jap sqarime dhe përgjegjësi para nxënësve, mësimdhënësve, Këshillave të Prindërve dhe gjithë qytetarëve të Podujevës DKA në Podujevë. Gara e Diturisë ishte një mundësi e mirë për nxënësit që të testohen e të mësojnë më shumë, krejtësisht me qëllim të motivimit dhe nxitjes për mësimnxënje shtesë duke u shpërblyer nxënësit e dalluar”, vijon shkrimi i Rudarit./Llapi.info