Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk e sheh të arsyeshme që bashkëpartiakja e tij, Flora Brovina, të japë dorëheqje pas publikimit të fotografisë së rreme për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ndonëse veprimin e saj e quan të dëmshëm për vendin, Tahiri thotë se Brovina është personi i fundit që duhet të dorëhiqet, raporton KTV.

Për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, veprimi i Brovinës është për keqardhje dhe i papranueshëm.

Përgjegjës për publikimin e atyre fotografive, Mustafa e ka bërë PDK-në dhe partitë e tjera në pushtet.

“Plasimi i fotografive të tilla prek dinjitetin e grave që kanë qenë viktima. Është i papranueshëm plasimi i një fotoje të këtillë pa e ditur burimin dhe vërtetësinë. Nuk e shoh përgjegjëse vetëm zonjën Brovina, por është problemi te politikat e PAN-it, PDK-së dhe partive të tjera që duan të mbajnë pushtetin me skandale”, ka thënë Mustafa.

Për rrëzimin e Qeverisë, kreu i LDK-së, ka thënë se Ekzekutivit “duhet t’ia thyejnë këmbët” nëpërmjet mocionit në Kuvend, para se ajo të prodhojë ndonjë skandal të ri.

Publikimin e fotografisë e ka vlerësuar të dëmshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka paraqitur disa masa lidhur me dënimin e krimeve serbe gjatë luftës.

Deputetja Brovina është intervistuar disa orë të premten nga Prokuroria Speciale derisa ka kërkuar falje nga të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe familjarët e tyre.