Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe daljen në zgjedhje deri në ora 12:00.

Në këtë konferencë është thënë se në shumicën e qendrave të votimit është prezent flamuri i shteti serb, mirëpo kjo gjë nuk i ka penguar qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e votës.

“Në bazë të të dhënave që kemi marrë nga vëzhguesit, në shumicën e rasteve flamuri i shtetit serb është prezent. Mirëpo deri tani nuk është evidentuar asnjë rast që ky flamur ka penguar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në bazë të deklarimeve që kemi marrë, një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar ka marrë pjesë në proces”.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të DnV-së lidhur me mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe daljen në zgjedhje deri në ora 12:00.

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon të vëzhgojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 21% qytetarëve me të drejtë vote. Dalja e votuesve në zgjedhje sipas komunave: Leposaviq (24%), Zveçan (21%),
Mitrovicë e Veriut (20%), Zubin Potok (18%).

Parregullsitë më evidente

Parregullësitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:

Votimi me dokumente të Serbisë
Procesi i verifikimit të dokumenteve të identifikimit nga komisionerët në disa raste është përcjellur me paqartësi. Disa votuesve, të cilët kanë qenë në listën e votuesve, u është lejuar të votojnë me dokumente të identifikimit të Serbisë.

Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve
Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në tri vendvotime, dy në Mitrovicën e Veriut dhe një në Leposaviq.

Votimi familjar
Votimi familjar është evidentuar në 15 vendvotime në katër komunat ku po mbahet zgjedhjet. Kjo dukuri është shprehur më së shumti në komunën e Mitrovicës së Veriut në 7 vendvotime.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit
Gjithsej në tri vendvotime në Leposaviq është vërejtur votimi jashtë kabinës.

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)
Është evidentuar një rast në qendrën e votimit 3803B në shkollën “Aziz Sylejmani”, në Mitrovicën e Veriut në vendvotimin 01R.

DnV fton qytetarët të dalin në votime dhe kështu të bëhen pjesë e vendim-marrjes dhe krijimit të politikave që janë në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe jetës së tyre.