As pas tri vjetëve, përfundimi i punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë nuk është kurrkund. Ritmi i ngadaltë i punimeve siç duket do t’i përcjellë qytetarët edhe kësaj vere, shkruan Llapi.info
Që prejse ka nisur zgjerimi i kësaj rruge, akuza të shumta janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, e kjo e fundit ka akuzuar edhe Komunën e Podujevës.
Se që këto punime janë zhvilluar me ritme të ngadalta, e ka thënë për Llapi.info kohë më parë edhe Rexhep Kadriu, zëvendësministri i Infrastrukturës.
Së fundi probleme ka pasur me shpronësime. Se a janë bërë këto shpronësime Llapi.info s’ka marrë përgjigje pak kohë më parë nga kjo ministri. E në lidhje me këto punime, në seancën e mbajtur të enjten në Kuvendin e Kosovës, këtë çështje e ka ngritur deputeti nga radhët e AKR-së, Islam Pacolli.
Ai ka kërkuar sqarim për mospërfundimin e punimeve në këtë magjistrale, e që njëherësh është edhe më e frekuentuara në Kosovë.
“Kërkoj edhe për rrugën Podujevë- Prishtinë pasi ka filluar në vitin disa vite më parë dhe ende nuk ka përfunduar dhe qytetarët janë të dëmtuar dhe irrituar, andaj kërkoj nga ministri ta jap një përgjigje. Gjithashtu kërkoj që në këtë rrugë të punohet me intensitet më të lartë”, pati thënë Pacolli, mirëpo MI vazhdon të heshtë.
Në lidhje me këtë temë, pas kaq kohësh javë më parë ka reaguar edhe deputeti nga Llapi, Fidan Rekaliu. Ky i fundit ka bërë edhe një pyetje parlamentare për të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj të parin e AAK-së, parti kjo e cila edhe ka në dorë Ministrinë e Infrastrukturës.
Rekaliu ka pyetur kryeministrin e Kosovës se a është në dijeni për neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë.
Duke shtuar për frekuentimin e kësaj rruge nga e cila kalojnë mërgimtarët, punimet po bëhen, siç ka shkruar ai, me dinamikë të ulët, pa cilësi dhe jashtë standardeve.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë edhe për faktin se lidh vendin tonë me pikën kufitare në Merdar, prej nga edhe udhëtojnë shumë bashkatëdhetarë. I nderuar Kryeministër a jeni të informuar për problemet, neglizhencën dhe dinamikën e punimeve në këtë rrugë?”, ka shkruar ndër të tjerash në Facebook Fidan Rekaliu.
Ndryshe, për zvarritjen në këtë magjistrale edhe është protestuar, teksa janë paralajmëruar protesta tjera nga grupet parlamentare në asamblenë komunale të Podujevës./Llapi.info