Të hënën do të mbyllet një pjesë e rrugës së qendrës së Podujevës “Zahir Pajaziti”, për shkak të punimeve, njofton Llapi.info

Në komunikatën e lëshuar për medie, Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se për shkak të zhvillimit të punimeve në ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga data 27.05.2019 (e hënë) do të mbyllet për qarkullim pjesa e kësaj rruge, që fillon nga udhëkryqi i rrugës magjistrale te Hotel “Besiana” deri te udhëkryqi i rrugëve “Besnik Restelica dhe “Vëllezërit Frashëri” (te marketi “Interex”).

“Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Podujevës njofton qytetarët se për shkak të fillimit të fazave të reja të ndërtimit në Rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, një segment i kësaj rruge nga e hëna (27.05.2019) do të mbyllet qarkullim të automjeteve deri në përfundimin e punimeve”, thuhet në kumtesë.

“Gjatë kësaj faze të realizimit të këtij projekti në këtë segment rrugor do të bëhet largimi i shtresës ekzistuese të asfaltit, gërmimet deri në thellësinë e projektuar, gërmimi i kanaleve tërthore për instalimet e ndryshme, kyçjet tërthore individuale dhe të pusetave të ujëmbledhësve, ndërtimi i trotuarit dhe vendosja e shtresës së asfaltit”, thuhet tutje.

Ndryshe, për punimet e kësaj rruge që kanë filluar nga viti 2018, kritika kanë dhënë partitë opozitare për dinamikën e punimeve./Llapi.info