Instituti ATOMI për herë të tretë e ka organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë, e cila është mbajtur më 23 mars 2019 edhe në Komunën e Podujevës në shkollën “Xheladin Rekaliu”, njofton Llapi.info
Në këtë garë, në Kosovë këtë vit kanë marrë pjesë mbi 4 mijë nxënës të të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar nga mbarë Kosova.
Në funksion të kësaj, sot Instituti ATOMI ka përzgjedhur 43 nxënësit më të suksesshëm të Garës Kangaroo 2019 në Kosovë, të cilët janë certifikuar sot në një ceremoni solemne, në të cilën përveç këtyre nxënësve dhe prindërve të tyre, kanë marrë pjesë edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, profesor Armend Shabani, si dhe mësimdhënës, drejtorë shkollash e zyrtarë arsimorë.
Me këtë rast, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi duke përmendur rolin e matematikës në shoqëri, ka thënë se ka një përqindje të ulët të njohjes së matematikës në Kosovë.
“Përveç që kanë identifikuar suksesin dhe talentin. Kanë identifikuar dhe në përqindjen më të madhe kemi një përqindje më të ulët të njohjes së matematikës në shkollat tona. Pra nuk arrijmë suksesin e përgjithshëm. Kemi një sukses të dalluar individual, por jo suksesin çfarë duhet të kemi në shkollat tona. Kjo na bën që të përkushtohemi më shumë në përmirësimin e sistemit arsimor”, ka thënë Bytyqi.
Në këtë ceremoni janë ndarë certifikatat e suksesit për 43 nxënësit më të suksesshëm të kësaj gare për këtë vit, si dhe janë ndarë edhe medaljet dhe shpërblimet me libra për më të suksesshmit e Garës Kangaroo 2019 për secilën kategori dhe për më të suksesshmit në nivel vendi.
Për kategorinë 4 për klasat e (7) dhe (8), i pari në këtë garë ka dalë nxënësi nga Podujeva i shkollës “Shaban Shala”, Orges Ajvazi.
Ndryshe, Ajvazi edhe vitin e kaluar ka qenë i përzgjedhur në këtë garë të mbajtur në nivel vendi ./Llapi.info