Me garën në vrapim të nxënësve të shkollave fillore të Podujevës është shënuar Dita Olimpike 2019, në kuadër të aktivitetit që është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info
Manifestimin Dita Olimpike 2019, që u organizua në shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, e hapi nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili inkurajoi nxënësit që të merren sa më shumë me sport, që ishte edhe qëllimi këtij aktiviteti.
Në garën, që u mbajt në Rrugën “Zahir Pajaziti”, vrapuan nxënësit e lindur në vitin 2008, vitin e Pavarësisë së Kosovës.
Aktiviteti kishte edhe karakter garues, kurse nxënësit që zunë tri vendet e para, në kategoritë e vajzave dhe djemve, u shpërblyen me medalje.
Në manifestimin e organizuar në Ditën Olimpike 2019 ishin të pranishëm zyrtarë të Komunës, drejtorë të shkollave, prindër dhe qytetarë./Llapi.info