Kryeparlamentari Kadri Veseli, emri i të cilit u përmend në një video ku flitej për fajde, ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë rastin duke i instruktuar ata që të merren me cështjen e licencimit të spitalit që përflitet nga fajdexhinjtë, të cilët në një moment e implikojnë edhe Veselin duke thënë se i ka kërkuar 200 mijë euro.

Kreu i PDK’së, Kadri Veseli po i bën thirrje prokurorisë së shtetit që të merret më intensivisht me video-incizimet, ku disa persona ia kanë përmendur emrin se ishte i përfshirë në një aferë korruptive.

Ai madje po i fton organet e hetuesisë kosovare që punën për këtë çështje ta marrin me më seriozitet duke ua treguar edhe pistën e hetimit.

Në një deklaratë publike, Veseli është ankuar se ka kaluar gati një javë dhe se ende nuk ka parë asnjë reagim konkret nga ana e prokurorisë rreth kësaj çështjeje.

“Edhe pse ka kaluar gati një javë e plotë, ende nuk kemi parë ndonjë reagim apo veprim konkret në lidhje me ketë rast nga ana e organeve të drejtësisë. Për këtë, me të drejtë, mund të ndjehen të shqetësuar të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Veseli.

Ai ka deklaruar tutje se ajo që tashmë është kuptuar botërisht është fakti se krejt skema e mashtrimit në video-incizimet e publikuar ndërlidhet me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat. Por Veseli thotë se rreth spitalit për të cilin flitet në video-incizimet, ende nuk është sqaruar rrjedha se si u licencua.

“….Dhe ende deri tash, në opinionin publik nuk është sqaruar rrjedha e licencimit të këtij spitali, që ka ndodhur ne vitin 2015 dhe për të cilin dyshohet se është pasojë e një skeme të korrupsionit institucional”, shkruan tutje krye kuvendari.

E në fund Veseli ka kërkuar që urgjentisht organet e hetuesisë të merren me këtë punë.

“Duke e konsideruar tepër të rëndësishme zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, kërkoj urgjentisht nga organet përgjegjëse të rendit dhe ligjit që të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm, përgjegjësi dhe transparencë të plotë për hetimin dhe ndjekjen e të gjithë personave përgjegjës dhe të dyshuar për këtë aferë”, ka deklaruar Kadri Veseli.

Ai thotë se, kushdo që ka përgjegjësi institucionale duhet të kryejë detyrat me përgjegjësi të plotë ose të lëshojë rrugë për të tjerë që veprojnë me përkushtim dhe integritet.

“Kushdo që është pjesë e kësaj skeme të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të përballet me drejtësinë, pa asnjë vonesë”, ka thënë Veseli.

E rreth këtyre videove, të hënën, policia ka arrestuar 5 persona: Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për një muaj paraburgim për Rrahim Hashimin, ndërkaq 4 të tjerëve u janë caktuar 30 ditë paraburgim.

Protagonisti kryesor, Rrahim Hashimi, që shihet duke numëruar para në këtë video të siguruar nga Koha, është parë shumë aktiv nëpër rrjetet sociale, duke postuar fotografi, kryesisht me zyrtarë të PDK-së.

Rreth këtij rasti Veseli ka ngritur një kallëzim penal ndaj personave që e kanë përmendur në video, por në deklarimin e parë për media pas daljes së videos ai ishte kritik edhe ndaj policisë dhe prokurorisë.