Ismet Thaçi nuk ka kualifikim shkollor më shumë se nxënësit e tij. Ai ka të mbaruar vetëm shkollën e mesme, në nivelin e të cilës janë edhe nxënësit e tij

Nuk ka diplomë fakulteti, por kjo nuk e ka penguar Ismet Thaçin të marrë “thirrjen” e profesorit për t’iu dhënë dije nxënësve të shkollës së mesme. Thaçi, që për disa vjet është duke ligjëruar lëndën “Praktikë profesionale” në Shkollën e Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë, nuk ka kualifikim shkollor më shumë se nxënësit e tij. Ai ka të mbaruar vetëm shkollën e mesme, ndërsa do të duhej të kishte mbaruar fakultetin me sistemin e vjetër katër vjeçar ose masterin, për të dhënë mësim aty. Por, asnjë rregull nuk ka vlejtur për të. Përderisa, zyrtarët komunalë të Podujevës janë munduar të hedhin përgjegjësinë te njëri-tjetri, vetë Ismet Thaçi e ka pranuar që nuk ka diplomë të fakultetit që e kishte regjistruar para 38 vjetëve. Kjo është kuptuar edhe pas kërkesëspër qasje në dokumente publike e cila i është drejtuar Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës. Të dhënat e siguruara aty, shihet se personi në fjalë nuk e ka të përfunduar nivelin Bachelor të studimeve, si student i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Departamenti i Energjetikës. “Profesori” Ismet Thaçi, ka përfunduar vetëm 20 provime, nga 40 sa janë gjithsej në këtë drejtim. Ai është regjistruar në vitin 1977 dhe ka të paguar 7/8 semestra, që do të thotë se ai i ka paguar të gjithë semestrat e viteve akademike për nivelin Bachelor, por provimet nuk ka arritur t’i përfundojë. Dosja e këtij profesori është shpallur pasive në vitet 1991/92, pasi ai ka ndërprerë studimet.

Sekretarja e FIEK – ut, Luljeta Ademi, ka thënë se personi në fjalë ka të drejtë të vazhdojë studimet, nëse ai shpreh interesim për këtë, por tash për tash dosja e tij gjendet në arkiv të fakultetit, si dosje pasive. Por, ndryshe thotë Statuti i Universitetit të Prishtinës. Në nenin 150, pika 1.4, thuhet se studenti e humb statusin e studentit të rregullt kur nuk i ka përfunduar studimet në periudhën e dyfishtë të kohëzgjatjes së studimeve.

Ndërkohë, zyrtarët komunalë të Podujevës janë munduar ta hedhin përgjegjësinë te njëri-tjetri. Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, i cili e ushtron edhe postin e drejtorit të Arsimit, nuk ka dashur të përgjigjet për rastin e Ismet Thaçit. Kur i është përmendur Thaçi, nënkryetari Rudari ka sugjeruar që për këtë të pyetur shefi i Arsimit, Xhevat LLugaliu. Ky i fundit, në vend të përgjigjes e ka treguar konkursin në të cilin parashihet kriteret që duhet t’i plotësojë një kandidat për të qenë mësimdhënës në shkollë të mesme.

“Për mësimdhënës në shkollën e mesme të lartë – fakulteti i drejtimit përkatës 4 vjeçar ose master, në mungesë të kuadrit përkatës përparësi kanë kandidatët më drejtime të përafërta”, thuhet në konkursin publik 2013 të lëshuar nga Drejtoria e Arsimit në Podujevë. Llugaliu ka thënë po ashtu se lejohet qasje në dosjen e secilit profesor që dëshironi. Mendje ka ndërruar kur është përmendur emri i profesorit, Ismet Thaçi. Ka thënë se për këto gjëra duhet të drejtoheni te drejtori i shkollës së mesme teknike, Osman Jashari.

Nga ana tjetër, Drejtori i Shkollës së Mesme Teknike, Osman Jashari, ka thënë se shkolla nuk ka kompetenca me i përzgjedh kandidatët të cilët aplikojnë për vende të lira të punës.

“Është kompetencë e komunës, sepse ata aplikojnë në komunë dhe ata i përzgjedhin kandidatët” ka thënë Jashari. Edhe pse drejtori i shkollës është pjesë e komisionit që i përzgjedhin kandidatët, ai nuk ka dhënë ndonjë sqarim për këtë, duke thënë që të gjitha këto çështje janë përgjegjësi e komunës, e jo e shkollës. Osmani ka bërë të ditur se profesori i lëndës Praktikë Profesionale, Ismet Thaçi është profesor me normë të plotë. I pyetur se a ka profesorë të tjerë të cilët e japin lëndën e njëjtë e që janë me gjysmë norme, ai nuk ka dashur të flasë, duke thënë se për informata të tilla duhet të drejtoheni në komunë.

Portali Llapi.info ka arritur të sigurojë certifikatën e notave të profesorit Ismet Thaçi, të cilën e ka dorëzuar kur ka aplikuar në komunë, si dhe kontratën e punës të cilën ai e ka nënshkruar në bazë të Ligjit të Punës nr. 03/ L – 212 për Arsim Parauniversitar në Republikën e Kosovës.

11349909_10204120023376540_1605592593_n

Në certifikatën e notave të tij, vërehet se personi në fjalë nuk ka asnjë provim të vitit të katërt të përfunduar, ndërsa ka vetëm dy provime të vitit të tretë. Në kontratë të punës shkruan se niveli i kualifikimit të profesorit është Absolvent. Kohëzgjatja e punës në kontratë ka qenë nga 2 dhjetori i vitit 2013 deri me 31 gusht të vitit 2014, por profesori akoma është mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike, “Fan S. Noli”.

11297731_10204120023096533_1134157807_n
11350115_10204120022696523_1379693006_n

Shefi i Arsimit, Xhevat Llugaliu, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për përzgjedhjen e mësimdhënësve, nuk ka dashur të flas për pranimin e Ismet Thaçit si profesor me shkollë të mesme. Llugaliu ka thënë se drejtori i Arsimit, Nexhmi Rudari, e ka nënshkruar kontratën e punës. Por, edhe pas dy ditë përpjekjesh, Nexhmi Rudari, nuk është deklaruar për këtë çështje, duke na drejtuar te Komisioni për shqyrtimin e ankesave, të cilët kanë thënë se përgjegjës për këtë janë shefi i Arsimit, Xhevat Llugaliu, drejtori i Shkollës, Osman Jashari dhe dy zyrtarë komunalë, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit përzgjedhës. Pas bisedës me Komisionin për shqyrtimin e ankesave, jemi kthyer prapë te Shefi i Arsimit, Xhevat Llugaliu për të marr një sqarim rreth kësaj çështje, por nuk ka qenë në vendin e punës.

Flakron Gashi, asamblesit në Kuvendin Komunal të Podujevës, nga rradhët e PDK-së ka thënë për llapi.info se e gjithë kjo ka ndodhur për shkaqe politike, pasiqë LDK – ja në zgjedhjet e fundit ka arritur të sigurojë vetëm 15 ulëse.

“Kuvendi komunal i Podujevës ka gjithsej 35 deputetë. Për të hyrë një vendim në fuqi, duhet 18 vota. Kur është bërë votimi për kryetar të kuvendit, kandidati Mehmet Gashi nga LDK, nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme, pasi para kësaj seance LDK-ja ka bërë marrëveshje vetëm me këshilltarin e vetëm të LB-së, që i bie 16 vota. Por, ne dyshojmë se Gashi është zgjedhur me votat e këshilltarëve të AAK-së, Mirsad Kamerollit që më vonë kaloi në LDK dhe po ashtu të Mrikë Thaçit (bashkëshortes së Ismet Thaçit), që më vonë u deklarua si këshilltare e pavarur”, ka thënë ky burim. I njëjti ka potencuar se praktika politike na bënë të aludojmë që ka qenë një marrëveshje të fshehtë politike, pasiqë bashkëshortja e profesorit Ismet Thaçi, i ka fituar votat në kuadër të listës së AAK – së dhe tani përveç që ka votuar Mehmet Gashin si kryetar kuvendi, ajo mbështet të gjitha vendimet e partisë në pushtet. Ai ka treguar se Inspektorati për Arsimin parauniversitar në kuadër të Ministrisë së Arsimit, ka vërtetuar qëIsmet Thaçi është i pakualifikuar. Në fund, ka shtuar se ka profesorë të diplomuar që nuk e kanë normën e plotë të orëve në SH.M.T “Fan S. Noli”.

Ne intervistën e realizuar me profesorin Ismet Thaçi, ka pranuar se ai nuk i plotëson kriteret e kërkuara në konkurs.

“E kam të qartë se për shkollë të mesme kërkohet niveli i Masterit, por kur është hap konkursi nuk ka pasur asnjë kandidatë që i ka plotësuar kriteret. Madje nuk ka pasur kandidatë as me Bachelor të kryer, prandaj edhe më kanë zgjedhur mua”, ka thënë Thaçi.

Ai ka sqaruar se nuk e ka pasur ndërmend të konkurrojë në konkursin e hapur nga Komuna e Podujevës në vitin 2013 për mësimdhënës, por atë e kanë thirrur që t’i rikthehet punës në këtë shkollë, si profesor me normë të plotë.

“Mua më kanë thirrur që t’i rikthehem punës, e kush më ka thirrur nuk është më rëndësi. Pastaj unë kam plotësuar dokumentacionin e kërkuar në konkurs dhe kam filluar punën, të cilën e mbajë edhe sot”, ka thënë profesori Ismet Thaçi.

Ai ka treguar se ka punuar si mësimdhënës në këtë shkollë prej 1986 deri në vitin 2011, kur ishte larguar nga puna.

“Arsyeja e largimit nga puna ka qenë politike. Gruaja ime Mrika punon si këshilltare komunale në Komunën e Podujevës. Para 4 viteve Mrika ka qenë në komisionin për hartimin e statutit të komunës së Podujevës, e cila ka qenë e vetmja që nuk e ka miratuar këtë statut, kjo ishte edhe arsyeja se pse më larguan nga puna”, ka theksuar Thaçi.

Thaçi ka thënë se nuk është ankuar, për shkak se nuk i ka plotësuar kriteret që kërkohen me ligj për mbajtjen e atij vendi të punës.

“Në kohën kur unë kam mbet pa punë, në vendin tim ishte punësuar profesori Bashkim Statovci, i cili njëkohësisht ka qenë edhe këshilltar komunal në Podujevë. Ndonëse as Bashkimi nuk i ka plotësuar kriteret, unë nuk jam ankuar, sepse as unë nuk i kam plotësuar ato kritere. Në rast se do t’i plotësoja, atëherë do të isha ankuar”, ka shtuar Thaçi.
Thaçi më tej ka thënë se nuk ia ka zënë askujt vendin e punës. “Në momentin që kish pas staf të kualifikuar, nuk do të më merrnin mua. Po as unë nuk i them askujt të shkel ligjin për mua”, ka thënë ai.

Ndërsa, Bashkim Statovci, profesor në këtë shkollë, ka treguar se gjatë vitit akademik 2012/2013 ka punuar si mësimdhënës në Sh.M.T “Fan S. Noli”, por gjatë vitit 2013/2014 ka pauzuar. Pas shpalljes së vendit të punës, në konkursin e vitit 2013/2014 ai është pranuar si mësimdhënës, por kur ka shkuar për ta nënshkruar kontratën, drejtori i Arsimit, Nexhmi Rudari, i ka thënë që nuk mund ta vazhdosh punën për shkak të mungesës së nxënësve në drejtimin Energjetikë. Ai ka treguar se nuk është ankuar, pasiqë ka qenë koha e fushatës dhe ka qenë kandidat për asamble komunale nga radhët e AKR – së. Statovci ka shtuar se nuk beson që Ismet Thaçi ia ka zënë vendin e punës. Ai ka treguar se ka kaluar si këshilltar komunal në radhët e LDK –së, por siç ka thënë ai pa ndonjë arsye të veçantë. Tani ai është mësimdhënës në këtë shkollë, pas aplikimit në konkursin e vitit 2014/ 2015.

Inspektori i Përgjithshëm i Arsimit në MASHT, Bastri Demiri ka thënë se secila komunë e ka autoritetin dhe përgjegjësinë qëpër të gjitha vendet e lira të punës në institucionet arsimore, të shpallë konkursin publik dhe të përzgjedh kandidatët për ato vende. Ai ka bërë të ditur se nga komuna formohet komisioni që i përzgjedh kandidatët, por në komision nuk ka asnjë anëtar nga Inspektorati.Demiri ka thënë se në mungesë të stafit të kualifikuar, përzgjidhen kandidatët që komisioni i vlerëson si më adekuat.

“Kur kemi kuadrin adekuat të kualifikuar për lëndët përkatëse nuk paraqitet ndonjë problem, problemet shkaktohen në ato lëndë mësimore ku nuk ka kuadro adekuat, por komisioni e bën përzgjedhjen, e aty pastaj bëhen lëshime të shumta, ku komisionet dhe drejtoritë komunalei përzgjedhin kandidatët në bazë të shoqërisë, afërsisë apo lidhjes mes tyre”, ka shtuar Demiri. Ai ka bërë të ditur se sektori i Inspektoratit merret me përcjelljen e kandidatëve të përzgjedhur, por kjo ndodh në rastet kur për mësimdhënës të caktuar bëhen ankesa.

Kur janë kontaktuar personat përgjegjës në sektorin e Inspektoratitpër të kuptuar nëse ka pasur ankesa në rastin e Ismet Thaçit, askush nga ta nuk ka pranuar të prononcohen me arsyetimin se u duhet të udhëtojnë në një udhëtim zyrtar./Llapi.info