Podujeva, foto arkiv

Java e parafundit e muajit maj në Komunën e Podujevës është shënuar me disa incidente, raporton Llapi.info

Përgjatë javës që tashmë lamë pas, janë arrestuar disa persona për vepra të ndryshme penale.

Një arrestim ndodhi të hënën në këtë Komunë, pasi që një person ka kryer vjedhje të rëndë.

Sipas Policisë së Kosovës, i njëjti në bashkëveprim me disa të dyshuar të tjerë ka kryer vjedhje në dy lokacione të ndryshme.

Ndërsa, gjatë intervistimit i dyshuari ka pranuar se ka kryer vjedhje edhe në disa lokacione të tjera, derisa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti në bashkëveprim me disa të dyshuar të tjerë ka kryer vjedhje në dy lokacione të ndryshme. Gjatë intervistimit i dyshuari ka pranuar se ka kryer vjedhje edhe në disa lokacione tjera. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur në raportin e së enjtes se një person ka ushtruar dhunë ndaj një femre me qëllim të sigurimit të narkotikëve, mirëpo i dyshuari gjendet në arrati.

“Viktima femër K/Shqiptar ka raportuar se i dyshuari mashkull K/Shqiptar, ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj me qëllim të përfitimit, për të siguruar substanca narkotike. I dyshuari gjendet në arrati”, ka bërë të ditur PK.
Më 23 maj në Podujevë është arrestuar një i dyshuar mashkull, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht motrën e gruas së tij të cilës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Mesditën e së enjtes një person ka informuar se përderisa ishte duke bërë punime në kulimin e shtëpisë së tij ka gjetur një mjet të dyshuar shpërthyes.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti për deminim i KFOR-it dhe FSK-së, të cilët kanë bërë tërheqjen e mjetit pa ndonjë incident.

Në raportin e së shtunës së PK-së, është bërë e ditur se një person është arrestuar në Podujevë për tentim vrasje të ndodhur më 12 tetor 2018.
Sipas Policisë së Kosovës, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Podujevë 12.10.2018 – 13:45. Lidhur me rastin më 24.05.2019 është arrestua i dyshuari mashkull K-Shqiptar dhe i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë pa dhënë detaje tjera.

Ndërkaq, më 12 tetor të vitit 2018, rreth orës 14:00 katër persona të armatosur me armë zjarri kanë tentuar të kryejnë grabitje në zyrën e agjencionit doganor dhe më pas në filialin e bankës.

Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit kanë ikur me veturë në drejtim të fshatit Dumnicë dhe gjatë ikjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësitit policor.

Të premten një mjet shpërthyes të tipit I-9 është gjetur nga një person në Podujevë, i cili kishte hasur në të derisa ishte duke punuar.

Sipas Policisë së Kosovës, njësia për deminim i FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.

Kurse, të shtunën një femër është arrestuar, pasi që e njëjta përmes rrjeteve sociale ka shantazuar dy burra dhe një grua tjetër.

Siç thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, e dyshuara me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje./Llapi.info