Në tryezën e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Kosovës, me temën “Vettingu – hapi drejt forcimit të gjyqësorit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u tha se Sistemi i drejtësisë duhet të çlirohet nga politika.

Deputetja e këtij subjekti politik tha se gjyqësori, në rastin më të mirë, ka dështuar sistematikisht në luftimin e korrupsionit përbrenda dhe jashtë saj. Për këtë, ajo shtoi se PSD po e shtyen përpara Vettingun si mundësi për të rivlerësuar gjyqësorin.

“Si shoqëri, ne mund të gjejmë rrugë apo proces i cili na mundëson të funksionojmë normalisht siç i marrim shembull vendet perëndimore”.

Kurse drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Betim Musliu, theksoi Vettingu do të duhej të mirrte parasysh si fillim vullnetin politik, e më pas të ndërmirren hapa konkret si ndryshimet kushtetuese apo ligjore për të arritur qëllimin e vet.

Edhe përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile nënvizuan rëndësinë e këtij procesi, por duke vënë në dukje vështirësitë për një proces të mirëfilltë. Arton Demhasaj nga ÇOHU, e quajti këtë proces mjaft kompleks dhe theksoi se problem kryesor i gjyqësorit është politika.

Ndërsa, Përparim Kryeziu nga GLSP, u shpreh se Vettingu është proces i nevojshëm, por është vetëm një nga reformat që nuk e zgjidh problemin e drejtësisë. Gjithashtu, edhe Butrint Berisha nga PIPS deklaroi se duhet pasur kujdes në çdo hap gjatë këtij procesi që në fund të rezultojë suksesshëm.

Në fjalën e tij, Ulsi Manja, Kryetari i Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, tha se nga përvoja në Shqipëri, sistemi i drejtësisë ka hasur në 3 probleme kyçe: vendimmarrje, mungesë të llogaridhënies dhe korrupsion. Ai shtoi se tre këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën”.

“Sipas rezultatit të sondazheve në ato kohë, 98 përqind e qytetarëve të Shqipërisë kishin humbur plotësisht besimin në sistemin e drejtësisë”, nënvizoi po ashtu zoti Manja.

Për fund, u konstatua se vullneti politik për këtë proces është vital nga dita e parë deri në ditën e fundit. Dhe, nëse nuk ka vullnet politik, atëherë i gjithë procesi domosdosshmërisht do të dështojë.