Komunarët e Podujevës e kanë prishur asfaltin në rrugën e qendrës në Podujevë, të shtruar gjatë kohës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, njofton Llapi.info

Ekzekutivi e kishte anashkaluar tërësisht Kuvendin Komunal kur e kishte “ndërruar” projektin që ishte paraparë për këtë rrugë si: zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi me tërë infrastrukturën përcjellëse dhe kishte vendosur që ta “kompensojë” me një shtresë asfalt, e që tani është larguar.

E për këtë, sot Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, përmes një aktiviteti ka akuzuar të parin e kësaj Komune për këto punime, dhe për prishjen e asfaltit të shtruar para dy vitesh.

Shefi i VV-së në asamblenë komunale, Fitim Haziri, duke folur për gjendjen në të cilën është katandisur qyteti i Podujevës, ka thënë se rreth 160 mijë euro të taksapaguesve, sipas tij, po shkatërrohen nga ana e Veliut.

“Për neve si Lëvizje Vetëvendosje është e papranueshme se çfarë po ndodhë me rrugën “Zahir Pajaziti”. Në vitin 2017 kryetari Veliu nga ethet që e kishin kapluar për humbjet nga zgjedhjet, filloi të përdorë metoda të jashtëligjshme. Një nga këto metoda është pikërisht asfaltimi i rrugës që është bërë në vitin 2017. Kjo shtresë e asfaltit e cila është shtruar pa ndonjë vendim të Kuvendit Komunal, e që Komunës i ka kushtuar 155 mijë 493 euro. Ky është buxhet i taksa paguesve të qytetarëve, që është keqpërdorur, e që tani të gjitha ato investime që janë bërë janë duke u shkatërruar”, ka thënë Haziri.

Këtij aktiviteti të cilët i prinë këshilltarë komunalë dhe aktivistë kanë vendosur fotografi, ku sipas tyre, shihet se ka filluar prishja e asfaltit për të cilën, sipas VV-së, Veliu kishte thënë se nuk do të prishej.

Ndërkohë, edhe pse u ndanë rreth 160 mijë euro për riasfaltimin e kësaj rruge, sivjet ajo ka nisur të hiqet. E, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në nëntor të vitit 2017 në një debat televiziv, kishte thënë se kjo rrugë nuk do të prishet sivjet, e që në fakt i njëjti është larguar i gjithi.

“Rruga e qendrës nuk do të prishet, nuk do të prishet”, pati thënë Veliu.

Kujtojmë, Komuna e Podujevës ditë më parë ka njoftuar se e për shkak të zhvillimit të punimeve në ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nga data 27.05.2019 (e hënë) do të mbyllet për qarkullim pjesa e kësaj rruge, që fillon nga udhëkryqi i rrugës magjistrale te Hotel “Besiana” deri te udhëkryqi i rrugëve “Besnik Restelica dhe “Vëllezërit Frashëri” (te marketi “Interex”)./Llapi.info