Gruaja rome është sulmuar sërish sot, pavarësisht deklaratave të Policisë se ajo është e sigurt.

Hiç më larg se dje Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë, tha në Info Magazine se për këtë person nuk duhet shqetësuar.

“Ne si polici po bashkëpunojmë ngushtë me institucionet e tjera për trajtimin adekuat. Mund të themi se është e sigurt dhe do bëhet një zgjidhje për të. Nuk ka nevojë të shqetësoheni rreth këtij personi”.

“Ne si polici kemi vepruar qysh se kur janë bërë publikimet. Kemi marrë hapa të tjerë për sulmin që është bërë. Edhe me prokurorinë edhe institucionet e tjera kemi bashkëpunuar që viktimës t’i ofrohet një lokacion ku mund të qëndrojë”.

Megjithatë ajo sot është sulmuar për të dytën herë brenda pak ditësh, një herë në Lipjan dhe sot në Ferizaj.

Policia e rajonit të Ferizajt, e ka marrë tashmë gruan në përkujdesje.

“Patrulla policore iu është përgjigjur një thirrjeje për ndihmë që ka të bëjë me këtë rast. Momentalisht ajo gjendet në stacionin policor në pritje të arritjes së stafit të Qendrës Sociale për procedura të mëtejshme”, tha për klankosova.tv, major Mehmetali Hajdini nga Policia në Ferizaj.

Ai tha se e njëjta nuk po pranon të deklarohet rreth rastit, ndërsa tregon se policia me të arritur në vendin e ngjarjes nuk ka hasur në momentet e sulmit ndaj gruas.

Megjithatë ai thotë se janë angazhuar në zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti për të identifikuar personat të cilët kryen këtë akt ndaj gruas.