Foto: Llapi.info

Në mbledhjen e mbajtur sot në Kuvendin Komunal të Podujevës, është shfuqizuar vendimi që ia ndalon KEDS-it vendosjen e njehsorëve të rrymës nëpër shtylla elektrike në Podujevë, njofton Llapi.info

Në seancën e mbajtur më 4 mars, shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri, pati propozuar që kompanisë KEDS t’i ndalohet vendosja e njehsorëve në hapësirat publike në tërë territorin e Komunës së Podujevës, propozim i cili ishte përkrahur nga të gjitha partitë opozitare, përveç LDK-së e cila e udhëheq Komunën e Podujevës.

Lexo edhe: Manipulimi në votim, propozimi i VV-së që ndalon vendosjen e orëve të rrymës në shtylla në Podujevë ka kaluar

E, pasi ishte hedhur në votim, ky propozim kishte kaluar pasi me 17 vota pro, 16 kundër dhe 1 s’ka votuar fare, ku kryesuesi i Kuvendit kishte konstatuar se Propozim Vendimi nga radhët e LVV nuk kalon, e që kjo ka bërë që kjo parti t’i adresohej MAPL-së, ku kjo ministri e kishte pranuar si të kaluar.

Mirëpo, ky vendim është shfuqizuar sot në Kuvendin Komunal. Gjithë kjo, pasi që kësaj here përveç LDK-së edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk e ka përkrahur këtë vendim, parti kjo e fundit e cila s’ka votuar fare, ani pse e kanë përkrahur në fillim.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Ajeti, duke kërkuar që të miratohet vendimi që ia ndalon KEDS-it një gjë të tillë, ka thënë se vendosja e njehsorëve sipër, sipas tij, është e jashtëligjshme.

“Vendimi për ndalimin e vendosjes së njehsorëve të rrymës në për shtylla është i drejtë, ku kërkohet që t’i ndalohet KEDS-it vendosja e njehsorëve. Kjo pasi që cenohet e drejta e konsumatorëve dhe është e garantuar me ligj mbrojtja e konsumatorëve. Vendosja e njehsorëve në disa vende poshtë shtyllave elektrike, e diku sipër tyre është e padrejtë dhe e dëmshme. KEDS-i nuk e ka respektuar vendimin. Ligji mbron konsumatorët, e të vendoset në maje të shtyllave është e kundërligjshme dhe cenon të drejtat e konsumatorëve”, ka thënë Ajeti.

Ndërsa, këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar që të hidhet në rivotim.

“Për vendosjen e orëve kemi një vendim që ia lejon KEDS-it në shtylla, kurse një tjetër nga MAPL që kërkon të merren hapa konkret, duke kërkuar që të harmonizohet dhe të dërgohet në Zyrën Ligjore për rivotim”, ka thënë Llapashtica.

Në anën tjetër, në emër të LDK-së, që të largohet ky vendim për ndalesë të vendosjes e ka bërë këshilltari Hasan Ajeti.

Pas diskutimeve, kryesuesi i Kuvendit Fatmir Gashi, hodhi përsëri në votim këtë vendim, ku kundër kanë votuar këshilltarët e LDK-së, ndërsa PDK e cila nuk ka votuar, ku edhe u konstatua se shfuqizohet vendimi i VV-së për ndalim të vendosjes së njehsorëve elektrikë, nëpër hapësira publike në Komunën e Podujevës./Llapi.info

Lexo edhe: KEDS-it i ndalohet vendosja e njehsorëve të rrymës në hapësirat publike në Komunën e Podujevës (Dokument)