Një vjedhje e rëndë është regjistruar mbrëmë në fshatin Siboc të Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info

Një veturë është thyer rreth orës 22:30, me ç’rast persona ende të panjohur kanë vjedhur dy çanta, njëra me dokumente personale dhe mbi 3 mijë euro, ndërsa tjetra me rreth 17 palë çelësa të veturave të auto sallon “Xhaviti” në këtë fshat.

Pronari i këtij salloni ka thënë për Llapi.info se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, teksa ka bërë thirrje nga qytetarët që në rast se gjejnë një çantë me çelësa apo edhe të dokumenteve të ia kthejnë.

“Kur kam shkuar për iftar në shtëpi dhe kam dalë nga shtëpia pas orës 22:00 kam parë që më është thyer xhami i veturës BMW dhe më janë marrë dy çanta, njëra ka pas dokumente, kontrata e tjetra çelësat e veturave. Më kanë mbetur veturat e bllokuara për shkak se janë marrë rreth 17 palë çelësa të veturave që i kam në sallon. Në çantë me dokumente i kam pas edhe mbi 3 mijë euro”, ka thënë ai pronari, Muzli Ramadani.

Ramadani duke shtuar se rasti është paraqitur edhe në Stacionin Policor në Podujevë, ka theksuar se kushdo që gjen gjërat e vjedhura ta kontaktoni pronarin Ramadanin në numrin: 044 884-063.

Ndryshe, Llapi.info ka pritur për disa orë detaje tjera edhe nga Policia e Kosovës për këtë vjedhje, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk janë dhënë detaje, ndërsa as në raportin 24-orësh të PK-së s’është raportuar ky rast.

Kujtojmë, fshati Siboc ka qenë cak i vjedhjeve të shumta të bëra edhe në vitin e kaluar./Llapi.info