Andy Ruiz Jr. tani posedon njërin prej triumfeve më sensacionale të boksit modern duke e mposhtur kampionin e unifikuar, Anthony Joshua.
Britaniku pësoi humbjen e parë në karrierë, edhe atë duke u rrëzuar katër herë nga kundërshtari i tij, i cili në raundin e shtatë fitoi me nokaut, transmeton Klan Kosova.
Kampioni i unifikuar vuri titujt e tij IBF, WBA dhe WBO, në sfidën përballë meksikano-amerikanit, i cili u përfshi në këtë duel si zëvendësues, pasi Jarrell Miller doli pozitiv në testet anti-doping dhe u suspendua.
Debutimi i AJ në Amerikë nuk shkoi aspak mirë, pasi ai pësoi në Madison Square Garden të New Yorkut.
Andy Ruiz Jr. është kampioni i ri botëror i peshave të rënda dhe meksikani i parë që shpallet kampion bote në këtë kategori.
Raundi 1
Që nga fillimi, Ruiz sulmonte, ndërsa Joshua tregohej më i vëmendshëm dhe e priste momentin.
Raundi 2
Një moment i mirë për britanikun, i cili i dhuroi dy goditje të fuqishme.
Raundi 3
AJ e rrëzoi Ruizin, por ai u çua për ta rrëzuar kampionin. Menjëherë pas, meksikani e rrëzoi sërish Joshuan, të cilin e shpëtoi gongu.
Raundi 4
Joshua ia doli të mbahej në këtë raund në përpjekje për t’u këndellur dhe vazhdimisht e shmangte kundërshtarin.
Raundi 5
Britaniku dha përshtypjen se po kthehej në lojë, por kundërshtari i tij ishte i palëkundur.
Raundi 6
Ndërkohë që Ruiz ishte gjithnjë e më i qëndrueshëm, tek AJ mbretëronte pasiguria.
Raundi 7
Momenti kur Ruiz sulmoi fuqishëm dhe e rrëzoi edhe dy herë të tjera Joshuan, ndërsa gjyqtari e ndali meçin që do të thoshte, fitore me nokaut teknik për kampionin e ri.