Anthony Joshua do të kërkojë rimeç me Andy Ruiz Jr, pas humbjes tronditëse që si pasojë ia humbi boksierit britanik tre titujt e botës në kategorinë e rëndë, IBF, WBA dhe WBO.

Në njërën prej tronditjeve më të mëdha në kategorinë e rëndë të boksit, Ruiz Jr e mposhti Anthony Joshuan për tre titujt e botës në kategorinë e rëndë, JBF, WBO dhe WBA, të dielën në mëngjes në Shtetet e Bashkuara, raporton Gazeta Express.

Kjo ishte humbja e parë në karrierë për boksierin britanik, e cila për pasojë ia humb edhe tre titujt e botës. Pas meçit, Joshua e uroi boksierin amerikan me prejardhje meksikane.

“U mposhta nga një luftëtar i mirë. Do të jetë interesant ta shohim se sa larg do të shkojë ai”, tha Joshua.

“Ai është kampion tani, por unë do të rikthehem”, theksoi ai.

Joshua bëri një hap të madh prapa në përpjekje për ta siguruar një meç masiv me kampionin e WBC-së, Deontay Wilder, dhe tani prioritet i menjëhershëm i britanikut do të jetë rimeçi me meksikanin.

I pyetur për rimeç, Joshua tha: “Më duhet ta mbledh veten dhe të forcohem. Ky është rreziku që ne ndërmarrim, por do të rikthehem”.

“Ai është kampion tani. Kujtojani vetes se ai është kampioni tani. Unë do të rikthehem”, shtoi ai.

Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, tha pas meçit se Joshua do të rikthehet në Britani të Madhe për luftën e dytë me Ruizin.

“AJ do të rikthehet 100 për qind. Rimeçin do ta kemi në Britani të Madhe, në nëntor apo dhjetor, por sonte nata i takon Andy Ruizit”, tha Hearn.