Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte të reja për liberalizimin e vizave.

“Kam potencuar gjithashtu se Kosova në asnjë rrethanë nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizimin e vizave – as heqjen e tarifës apo ndonjë çështje tjetër”.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Po ndodh një diskriminim dhe trajtim për qytetarët e Kosovës sikur të ishim qytetarë të kategorisë së dytë në kuadër të këtyre përkushtimeve të shteteve anëtare të BE-së”.

Thaçi ka deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për vizat, njofton Klan Kosova.

“Kosova ka plotësuar më tepër se të gjitha vendet e rajonit kritere për liberalizimin e vizave – gjithsej 95 kritere derisa të tjerat kanë kaluar rreth 55-60 kritere”.

“Për liberalizim të vizave nuk do të lejojmë askënd që të vë kritere të reja. Tani duhet të ndodhë vullneti politik i vendeve përkatëse të BE-së dhe vendimi definitiv që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm”.

I pari i vendit këto komente i ka bërë në një prononcim për media pas takimit që ka pasur me delegacionin e Francës dhe Gjermanisë që përbëhet nga zyrtarë të lartë të cilët janë në Kosovë për të diskutuar për përgatitjet e Samitit të Paris.