Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kujtuar 20-vjetorin e marrëveshjes së Kumanovës, ka thënë se edhe pas çlirimit Kosova ka mbetur shtet i dobët dhe pa drejtësi.

Kurti thotë se, kur Serbia i kishte okupuar trojet shqiptare para më shumë se një shekulli në Luftën e Parë Ballkanike, festën e ka rezervuar atëherë kur e ka pushtuar Kumanovën.

“Sot janë mbushur 20 vjet nga Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Federatës Jugosllave dhe Serbisë e nënshkruar në Kumanovë. Me atë marrëveshje përfunduan bombardimet e NATO-s, sepse, në njërën anë, u vendos që të gjitha forcat serbo-jugosllave (ushtarake, policore e të tjera) do të tërhiqen nga Kosova deri më 20 qershor 1999, ndërkaq, nga ana tjetër, u vendos Zona e Sigurisë Ajrore prej 25 km dhe Zona e Sigurisë Tokësore prej 5 km rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndalohet hyrja e forcave të kësaj të fundit.”, ka shkruar ai në Facebook.

Mirëpo sipas Kurtit, edhe pas çlirimit, Kosova mbeti shteti me drejtësi minimale e papunësi maksimale.

Ai thotë se 20 vjet janë shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh.

“Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, ka përfunduar ai.