Mijëra shoferë kosovarë e njoftojnë njëri tjetrin se ku gjendet Policia me radar.
Kjo po realizohet falë një grupi në Viber.
Pjesë e grupit janë mbi 6 mijë shoferë të Kosovës.
Njëri shofer, me të cilin ka udhëtuar gazetari i Radios Evropa e Lirë, merr informacion se Policia është duke kryer kontrolle në Gazimestan.
Informacioni del të jetë i saktë.
Përmes këtyre njoftimeve, shoferët i shmangen radarëve dhe gjobitjeve.
Anëtarët e grupit publikojnë edhe foto për vendndodhjen e policëve.
Eksperti i komunikacionit, Visar Baxhuku, thotë se ky grup nuk i ndihmon sigurisë në komunikacion.
“Anashkalohet pika e kontrollit apo mundësia për gjobitje, dhe pjesën tjetër të rrugës e kanë pa kontroll dhe kjo krijon ato pasiguritë pastaj, mospërshtatja e shpejtësisë, moszbatim i rregullave. Por, mbi të gjitha rregullin e parë që e thyejnë është që shkruajnë gjatë drejtimit të automjetit, pra përdorin telefonin”, thotë ai.
Një rast i tillë është shënuar në një lagje të Prishtinës.
Një shofer ka shpërndarë një video ku thotë se ka vozitur rreth 200km/h në vendin ku limiti është 40km/h.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Policia e Kosovës nuk ka dhënë asnjë koment rreth kësaj çështjeje./REL