Ata që në rrjetet sociale kanë publikuar pjesë nga testi Shtetëror i Maturës 2015, do dënohen, e për këtë ka marr vendim tashmë Komisioni Qeveritar Shtetëror i Maturës (KQSHM).

Në një raport prej 250 faqesh, bëjnë të ditur se kanë fakte për rreth 40 raste të tilla dhe tregojnë dënimet që do kenë.

Më së keqi do pësojnë maturantët, ku përveç që do u eliminohet testi edhe u ndalohet që brenda një viti të hyjnë në test. Për ata që nuk janë maturantë do të bëhet kallëzim penal, raporton lajmi.net.

Ndërsa, nëse vlerësohet se ka pasur kopjime në ndonjë qendër, do merret vendim për përsëritje të testit.
Kështu ka bërë të ditur të mërkurën ky Komision, duke treguar edhe për vendimin e dënimit për tre mësimdhënës.
Komisioni e vlerëson të suksesshëm testimin e maturantëve edhe pse ka marr vendim që të iniciohet procedura e sanksioneve dhe masave disiplinore ndaj tre mësimdhënësve.

Besohet se kanë plotësuar testin e nxënësit në mënyrë të kundërligjshme.

“Mësimdhënësit Bujar Abdullahu, i caktuar në cilësinë e administratorit në Provimin e Maturës Shtetërore 2015, në shkollën e mesme “Fehmi Agani” në Klinë për shkelje të detyrës,…….gjithashtu ndaj arsimtarit Arsim Ajvazi, administrues në shkollën e mesme “Frank Bardhi” në Mitrovicë dhe arsimtarit Fahredin Haxhimusa mbikëqyrës në shkollën e mesme “Haxhi Musa” në Mitrovicë”, ka bërë të ditur Azem Guri, kryetar i KQSHM-së.
Për ta pritet të merren masa të menjëhershme nga inspektorati dhe të do iniciohet procedurë e masës disiplinore.

Sa i përket komunikuesve të rrjeteve sociale, Komisioni ka përgatitur raportin dhe shumë shpejtë do merren masat ndaj të përfshirëve.

“Nëse personi komunikues në rrjet social konstatohet se është maturantë, menjëherë i anulohet afati i qershorit dhe do i pamundësohet hyra në provimin e maturës për një vit. Nëse komunikuesi i rrjetit social është qytetarë bëhet kallëzim penal ndaj tij për procedim të mëtejmë, ndërsa nëse personi komunikues është administrues ose mbikëqyrës do të procedohet masa e sanksioneve sipas Ligjit të Maturës”, ka thënë Guri.
Komisioni bënë të ditur se këto janë vetëm veprime të menjëhershme dhe se do vazhdojnë me analiza dhe veprime të tjera.