Turqia nuk do të zmbrapset nga vendimi për të blerë sistemet ruse të mbrojtjes raketore S-400, pavarësisht kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përjashtimin e Ankarasë nga programi i blerjes së aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35, ka thënë të enjten ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu.

Në atë që u shndërrua në burimin kryesor të tensioneve midis Ankarasë dhe Washingtonit, dy aleatët e NATO-s janë përplasur publikisht për muaj të tërë rreth blerjes turke të pajisjeve luftarake ruse, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, i dërgoi javën e shkuar homologut të tij turk një letër paralajmërimi, në të cilën thuhet se Ankaraja do të përjashtohet nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35 po nuk heqë dorë nga planet për instalimin e sistemit rus.

Duke e sfiduar haptas qëndrimin amerikan, Çavushoglu tha se askush nuk mund t’i vejë ultimatume Turqisë. “Turqia nuk do të zmbrapset prej vendimit të vet me letra të kësaj natyre”, ka thënë ai. “Turqia i bleu sistemet S-400, ato do të na dërgohen dhe do të stacionohen në Turqi”.

Sistemet S-400 nuk janë në përputhje me sistemet e NATO-s dhe Washingtoni ka shprehur drojën se ato mund t’i komprometojnë aeroplanët e saj luftarakë F-35, të cilat Turqia po ashtu planifikon t’i blejë.

Në kuadër të përplasjes, Anhkaraja ka propozuar që forcat aleate të krijojnë një grup punues për ta vlerësuar ndikimin e sistemeve ruse. Ndërkaq, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përsëritur të mërkurën se vendi tanimë e ka kompletuar ujdinë me Rusinë dhe se sistemet do të mbërrijnë në Turqi gjatë korrikut.