Tanimë nuk ka asnjë dyshim. Maurizio Sarri do të drejtojë Juventusin nga edicioni i ri.

Një udhëtim në Londër i Drejtorit Sportiv të bardhezinjve, Fabio Paratici, ka bërë që të zgjidhen edhe detajet e fundit me Chelsean, klub me të cilin trajneri italian është nën kontratë edhe për një sezon.

Kështu sipas mediave italiane, Paratici ka rënë dakord me drejtuesit londinezë, që të paguajë një shumë më të ulët se 6 milionë euro, për prishjen e kontratës së Sarrit, e cila do të ndahet në një pagesë të menjëhershme dhe një tjetër në lidhje me objektivat që trajneri do të arrijë.

Ish tekniku i Napolit pritet të mbërrijë që sot në zyrat e klubit anglez, për të firmosur edhe divorcin zyrtar, pas vetëm një sezoni, ndërsa në fillim të javës së ardhshme pritet të bëjë edhe prezantimin zyrtar në stolin e Juventusit.

Në aventurën e tij në stolin bardhezi, Sarri do të ndihmohet nga Giovanni Martuscielo, një njeri të cilin e ka pasur ndihmës edhe te Empoli, ndërsa në dy vitet e fundit ka qenë ndihmës i Luciano Spallettit te Interi.