Rezultatet në ndeshjet e muajit qershor kanë bërë që Kosova të ngrihet për gjashtë pozita në ranglistën e FIFA-s. Kjo shtëpi e futbollit evropian vlerëson se Kosova ka arsye për të festuar pasi që e ka arritur pozitën më të lartë që e ka pasur ndonjëherë në histori.

Kosova është ngritur nga pozita e 127-të në atë të 121-të, pasi që u shpërblye nga FIFA me 25 pikë për rezultatet në ndeshjen e muajit qershor. Asnjë Kombëtare nuk ka fituar më shumë pikë sesa Kosova për këto ndeshje, raporton Gazeta Express.

“Arsye për të festuar ka edhe Kosova (e 121-ta, ngritje për gjashtë pozita) dhe Senegali (i 22-ti, ngritje për një vend), pasi që të dyja kombëtare e kanë arritur pozitën më të lartë të veten deri më tani, shkruan Gazeta Express.

Gjatë muajit qershor, Kosova i zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Grupit A të kualifikimeve të Kampionatin Evropian 2020. Fillimisht, skuadra e Bernard Challandes barazoi me rezultat 1:1 në Podgoricë kundër Malit të Zi, që renditej në pozitën e 51-të.

Dy pikët e humbura në Podgoricë, Kosova i kompensoi me tre pikë të fituara në Sofje, kur në mënyrë dramatike, në fund të ndeshjes, siguroi fitore me rezultat 3:2 kundër Bullgarisë, që e ndante pozitën e 51-të me Malin e Zi.

Kosova u anëtarësua në FIFA para tre vjetëve dhe gjatë kësaj kohe ka arritur të ngrihet nga pozita e 190-të në atë të 127-të. Rritjen më të madhe e pati në prill të vitit 2018, kur u ngrit në tabelë për 24 pozita. Që nga atëherë, Kosova gjithmonë është ngritur në këtë tabelë.

Hera e fundit që ka rënë në këtë ranglistë ishte në muajin janar të vitit 2018, kur ra për një pozitë më poshtë, ndërsa rënien më të thellë që nga viti 2016 e kishte në prill të 2017-ës, kur ra për gjashtë pozita.

Ranglista e radhës e FIFA-s do të publikohet më 25 korrik, mirëpo gjatë kësaj kohe Kosova nuk mund të fitojë pikë pasi që nuk do ta zhvillojë asnjë ndeshje deri në shtator.