Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson ka bërë thirrje për marrëveshje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pozicion më të mirë negociues kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

I pyetur nëse Prishtina me vendosjen e taksës ka sjellë “ndryshime në lojë” dhe nëse ia ka vështirësuar Beogradit vazhdimin e dialogit, Wilson për “Zërin e Amerikës” tha se Vuçiq është në pozicion të mirë diplomatik, sepse duket se Serbia ka marrë pozicion më të përgjegjëshëm, transmeton lajmi.net.

“Kjo nuk i ndihmon Prishtinës, shpresoj të tejkalohet. Serbia mund të fitojë gjithçka. Serbia nuk mund të jetë shtet normal me perspektivë evropiane dhe të ketë besimin e investitorëve të huaj nga bashkësia ndërkombëtare, nëse nuk e zgjidh këtë”, u shpreh ai.

Duke folur për demokracinë në Serbi, Wilson tha se Serbia nuk do të jetë anëtare e BE-së nëse nuk bëhet shtet autoritar dhe ka theksuar se Serbia me dialog me Kosovën së pari fiton normalizimin, shansën të fokusohet tek vetja, e pa bisedime, të gjithë humbin kohë për Kosovën.

“Pastaj nuk mund të fokusoheni tek gjërat e këqija në shtëpi, kur duhet të bëni llogari tek gjërat e këqija me Kosovën. Kur i zgjidhni ato, më me përgjegjësi do të zgjidhni edhe demokracinë dhe integrimin e popullit serb. Populli do të ketë mundësi të kërkojë përgjegjësi nga liderët për atë që mendojnë se duhet të fitohet dhe jo vetëm për retorikën e humbësve rreth Kosovës”, theksoi Wilson, përcjell lajmi.net.

“Ne mund të presim me dekada, por nuk dëshirojmë, ne nuk i bëjmë gjërat ashtu, ne dëshirojmë të ndërtojmë diçka më mirë me Serbinë. Jo vetëm se dëshirojmë pajtimin historik mes Beogradit dhe Prishtinës, por dua të shoh edhe pajtimin historik mes Beogradit dhe Uashingtonit. Dua të shoh presidentin serb në vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Dua ta shoh presidentin amerikan në Serbi, dua të shoh investime amerikane në Serbi dhe ndihmë ndaj shtetit në rrugën drejt BE-së”, theksoi ai duke thënë se raportet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk janë detyra kryesore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.