Tyson Fury bëri një paraqitje të pamëshirshme duke e mundur Tom Schwarzin me nokaut në rundin e dytë, në meçin e kategorisë së rëndë në Las Vegas, të dielën në mëngjes sipas kohës sonë lokale.
Britaniku Fury e mbështeti për konopëve Schwarzin qysh në rundin e dytë, dhe më pas e goditi fort me të djathtën dhe e rrëzoi në dysheme gjermanin, transmeton Gazeta Express.
Pak sekonda më vonë, ekipi i boksierit gjerman e hodhi peshqirin e bardhë duke e parë Schwarzin të gjakosur dhe duke u sulmuar nga Fury.
Ky ishte meçi i parë për Fury që prej barazimit kontrovers me kampionin e WBC-së, Deontay Wilder, në Los Angeles në dhjetor. Po ashtu, për britanikun kjo ishte fitorja e 28-të në karrierë, nga të cilat 18 i ka me nokaut, ndërkohë që regjistron edhe një barazim.
Për gjermanin, kjo ishte humbja e parë në karrierë. Ai ka 24 fitore në total, 18 prej të cilave me nokaut.