Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë tash e shtatë muaj është bllokuar.

Shkak për këtë, pala serbe thotë se është taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe ato boshnjake.

Në njërën anë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka refuzuar në mënyrë të prerë çdo kërkesë për heqje ose pezullim të kësaj takse dhe kërkon njohjen nga Serbia në këmbim me këtë, ndërsa pala serbe kërkojnë heqjen e taksës – për fillimin e dialogut.

Duke e parë këtë gjendje – dy shtetet e Evropës së Vjetër që janë Gjermania e Franca morën iniciativë për t’i zhvilluar disa takime me liderët e Ballkanit Perëndimor ku me theks të veçantë do të ishte Kosova dhe Serbia.

Megjithatë, shumë shpesh nga politikanët dhe analistët politikë është dëgjuar se Evropa nuk është e fuqishme mjaftueshëm për të përmbyllur kapitullin e kohëve të vështira në Ballkanin Perëndimor.

A është e domosdoshme përfshirja e SHBA-ve në këtë proces dhe sa është e fuqishme BE të rehabilitojë raportet midis vendeve në Ballkanin Perëndimor?

Lajmi.net ka folur me studiuesin e filozofisë dhe njohësin e çështjeve politike, Ridvan Emini i cili tha se BE dhe cilado nga shtetet e BE-së nuk mund të ofrojnë zgjidhje.

Emini është shprehur se BE ka qenë impotente përballë sfidave të cilat janë shfaqur në këtë pjesë të Evropës.

“As Bashkimi Evropian e as shtetet e saj cilado qofshin ato, përfshi Gjermaninë dhe Francën nuk e kanë fuqinë që të ofrojnë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Ato mund ta ndihmojnë këtë proces mirëpo, ato nuk mund të jenë garantuese të ndonjë zgjidhje. Nëse i referohemi historisë më të re shohim se BE nuk ka mundur të ofroj zgjidhje as në Bosnje e Hercegocinë e as në vitin 1999 në Kosovë, në vazhdimësi BE vetëm ka lëshuar deklarata dhe ka ftuar palë në takime mirëpo aty ka përfunduar gjithçka, me një fjalë nuk ka pasur fuqi të stopoj gjenocidin apo edhe spastrimet etnike, pra ka qenë impotente përballë sfidave të cilat ju kanë shfaqur në pragun e derës”, tha Emini për lajmi.net.

Ai gjithashtu ka shtuar se SHBA-të dhe Uashingtoni janë adresa e fundit ku Kosova dhe Serbia do të bëjnë marrëveshjen midis tyre.

“SHBA tashmë mund të konsiderojmë se është e përfshirë në arritjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA është fuqia e vetme e cila mund të garantoj paqen në Ballkanin Perëndimor. Uashingtoni është adresa përfundimtare ku delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do ta bëjnë ujdinë mes tyre e cila do ta ketë garantuese të saj SHBA-në”, tha Emini.

Sipas tij, në këtë pikë ku është tani raporti Kosovë – Serbi kërkohet forca e vendimmarrjes e të cilën mund ta siguroj vetëm SHBA-ja, ku ai beson se edhe do të arrihet marrëveshja.

“Bisedimet teknike kanë përfunduar prej kohësh dhe ato politike kanë ardhur në pikën ku kërkohet ‘forca’ e vendimmarrjes dhe jemi dëshmitar se BE e as Gjermania e as Franca nuk e kanë këtë forcë, andaj SHBA ka paralajmëruar disa afate kohore nëse nuk arrihet një marrëveshje, atëherë ftesa për në Uashington do të jetë e pashmangshme, rrjedhimisht do të arrihet edhe marrëveshja”, tha Emini për lajmi.net në fund.

E njohësi i politikës së jashtme Avni Mazrreku është shprehur se zgjidhja më e mirë do të ishte një sinkronizim midis Evropës Perëndimore dhe vendeve përtej atlantikut që janë Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kështu, do të thotë vendet e Evropës Perëndimore i shoh në një kontekst të integrimeve euroatlantike që vendet përtej atlantikut që janë SHBA-të dhe Kanadaja dhe vendet e Evropës Perëndimore, ekzistencën e tyre e kanë parë në raport me këtë aleancë. Prandaj çfarë do zgjidhje për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, unë e shoh në një sinkronizim të kësaj aleance, do të thotë të vendeve përtej atlantikut dhe të vendeve të Evropës Perëndimore”, tha Mazrreku për lajmi.net.

Ai gjithashtu ka theksuar rolin e veçantë që ka Britania e Madhe në këto procese duke shtuar se zgjidhja më fatlume do të ishte ajo me të cilën pajtohen të dy palët e aleancës.

“Mirëpo gjithmonë Britania e Madhe ka pasur rol të veçantë sepse që nga fjalimi i Churchillit në 1946 në Zurich, kur ai kualifikon Britaninë si një forcë ndërkombëtare dhe jo evropiane e sheh si forcë determinuese midis vendeve të të Evropës Perëndimore dhe vendeve përtej atlantikut. Prandaj zgjidhja fatlume e Ballkanit Perëndimor do të ishte një pëlqim midis vendeve të Evropës Perëndimore dhe vendeve përtej atlantikut”, tha Mazreku për lajmi.net.

Gjithashtu, shumë politikanë në Kosovë e konsiderojnë esencial rolin e SHBA-ve në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Madje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpesh ka deklaruar se nuk mund të ketë marrëveshje midis këtyre dy vendeve pa SHBA-të.