Ikjet e të rinjve kosovarë nga vendlindja me qëllim të kërkimit të një jete më të mirë në vendet evropiane ende po vazhdojnë

Është rreth 50 numri i qytetarëve të Podujevës, të cilët mbrëmë kanë marrë rrugën për në Kroaci, me qëllime punësimi.

Fotografitë të cilat i ka siguruar Gazeta Metro tregojnë që vetëm në mbrëmjen e djeshme një numër i madh i të rinjve janë nisur me autobusë për Kroaci nga Podujeva.

Ata në fotografi shihen duke u përshëndetur me familjarët e tyre, teksa nisja është bërë nga kafja “Europa”.

Metro ka mësuar se ata të rinj po shkojnë në Kroaci me qëllim të punësimit përmes vizës njëvjeçare.

Podujeva nuk është qyteti i vetëm me numrin e madh të emigrimit të qytetarëve kosovarë, pasi javë më parë Gazeta Metro ka raportuar edhe për ikjen e rreth 50 qytetarëve të Kamenicës për në Kroaci.

Ndryshe, deri më tani më shumë se 500 të rinj kanë ikur nga Kamenica, ndërsa Metro mëson se edhe 300 të tjerë do të largohen së shpejti.

Kujtojmë se ditëve të fundit ka pasur ikje masive nga vendi ynë, kryesisht të rinj që ia mësyjnë vendeve evropiane për një punë dhe jetë më të mirë.