Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka mbajtur takim publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktivitetet e tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 si dhe projektet dhe aktivitetet që janë në proces dhe ato të planifikuara për realizim, njofton Llapi.info

Në takimin e sotëm publik Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se projektet e miratuara në Kuvend, për vitin 2019, janë duke u realizuar dhe janë në proces të realizimit, sipas planit dinamik.

Kryetari Veliu tha se edhe në këtë vit investimet kapitale janë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë.

“Buxheti i Komunës për këtë vit është 22,032,619.00 euro, prej të cilave 6,701,334.00 euro për investime kapitale, ndërsa për subvencione 570,000.00 euro”, tha kryetari Veliu.

Më tej kryetari Veliu ka informuar qytetarët me procesin e realizimit të disa prej projekteve kapitale nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, ku ka përmendur asfaltimin e rrugëve në lagjet e qytetit, zgjerimin e Rrugës “Zahir Pajaziti” me infrastrukturë përcjellëse, projekt që është duke u realizuar, si dhe asfaltimin e shumë rrugëve në fshatra.

Kryetari, gjithashtu potencoi fillimin e realizmit të projektit të ndërtimit të Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve, projekt dy vjeçar.

Ndërsa, në sektorin e shërbimeve publike, kryetari tha se tashmë ka përfunduar realizmi i projekteve të ndërtimit të trotuareve në katër fshatra si dhe projekti i zgjerimit të shtratit të lumit Llap e Kaçandolli dhe lumenjve të tjerë, përgjatë rrjedhës së tyre në disa fshatra. Gjithashtu, përmendi projekte të përfunduara në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe shumë projekteve që janë në realizim në sektorin e shërbimeve publike.

Në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryetari tha se tashmë është realizuar projekti për mbështetjen e fermerëve me 100 sera, kurse janë në procedurë edhe zbatimi i projekteve për mbështetjen e fermerëve me motokultivatorë dhe pajisje përcjellëse, mbështetjen e bletarëve me 1,000 shoqëri bletësh) dhe projekte të tjera në mbështetje të fermerëve dhe shoqatave bujqësore.

Kryetari Veliu gjithashtu përmendi investimet në arsim, duke thënë se ndërtimi i objektit të shkollës “Dituria” në Llapashticë të Poshtme është në fazën e përfundimit, kurse janë në procedurë të ndërtimit objekti i shkollës “Elfir Behrami” në Metehi dhe ndërtimi i objektit të shkollës “Emin Duraku” në Bajçinë është në fazën përfundimtare të punimeve të vrazhda, investimi i MASHT-it. Kryetari gjithashtu përmendi edhe disa projekte që janë planifikuar në përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe të jashtme shkollore.

Në kuadër të projekteve të realizuara në sektorin e shëndetësisë, kryetari Veliu përmendi ndërtimin e ambulancës shëndetësore në Majac dhe blerjen e një autoambulance.

Kryetari gjithashtu ka njoftuar qytetarët edhe me projektet e realizuara dhe atyre që janë në proces të realizimit në sektorin e kulturës, rinisë dhe sportit, administratë dhe zhvillim ekonomik.

Qytetarët e pranishëm në takim publik janë interesuar të dinë më shumë lidhur me projektet që pritet të realizohen gjatë vitit 2019, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbime publike.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, ka dhënë detaje dhe sqarime lidhur me projektet që janë planifikuar të realizohen në sferën e shërbimeve publike./Llapi.info