Para qendrës së vet tregtare në Minsk të Bjellorusisë, udhëheqësi i Lëvizjes për Fuqinë e Serbisë, Bogolub Kariq, e ka vendosur një flamur të Kosovës.

Ambasada e Serbisë në Bjellorusi ka kërkuar që flamuri të largohet menjëherë dhe mediat serbe kanë reaguar ashpër ndaj këtij veprimi.

Kosova sot fillon garimin në Lojërat Evropiane Minsk 2019, ku do të përfaqësohet nga 12 sportistë. Para fillimit të kësaj gare, në Minsk ka pasur tensione.

Bogoljub Karic është pronar i qendrës tregtare “Dana” në Minsk. Kjo është një ndër qendrat më të mëdha tregtare në kryeqytetin bjellorus dhe fotografitë tregojnë se aty është vendosur një flamur i Kosovës.

Ambasada e Serbisë ka kërkuar që ky flamur të largohet nga ai vend në mënyrë urgjente.

“Ambasadori Velko Kovaçeviq do ta informojë presidentin Alexandar Lukashenko për flamurin e vendosur dhe do ta kërkojë largimin e menjëhershëm të tij”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës serbe në Bjellorusi.

Kundër këtij veprimi të Kariqit ka reaguar ashpër edhe mediumi i famshëm serb, Telegraf, duke i referuar atij si “patrioti i madh i Kosovës”.

“Biznesmeni dhe udhëheqësi i Lëvizjes Forca e Serbisë, Bogolub Kariq, i cili përfaqëson veten si një patriot i madh, i lindur në Pejë të Kosovës, njeh Kosovën e pavarur”, shkruan gazeta serbe.

“Patrioti i madh i Kosovës madje ka vënë flamurin e Kosovës edhe para objekteve që ka jashtë vendit, siç është qendra tregtare e madhe në Bjellorusi, ku shihet flamuri i një shteti të rremë që ai njeh”.