Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për takimin e të mërkurës në Berlin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë.

Sipas partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa një takim i tillë i fshehtë është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.

“Takimi i fshehtë i përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm”, thuhet në reagimin e kësaj partie, shkruan Gazeta Express.

Sipas LDK’së, nuk ka arsye se përse të mbahen takime të fshehta pavarësisht çështjeve që diskutohen në dialog.

“Dialogu nuk ka arsye të fshihet, pa marrë parasysh nivelin e tij dhe çështjeve që diskutohen në dialog. Gabojnë edhe shtetet e BE-së në qoftë se kultivojnë një praktikë të tillë sepse e bënë procesin e dialogut të pabesueshëm për ne dhe për qytetarët e Kosovës”, thuhet tutje.

Për ta një veprim i tillë vë në pikëpyetje transparencën e dialogut.

“Veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të pret Kosova nga dialogu, kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi”, potencon reagimi.

Partia e Isa Mustafës kanë rikujtuar se për takime të fshehta më herët është përmend edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se në të njejtën rrugë tashmë po shkon edhe Haradinaj.

“Për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria. Mos të habitemi, në qoftë se pas disa dite do të dëgjojmë edhe për një takim të fshehtë në Beograd ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive, që është shkelje absolute e principeve të dialogut”, thuhet ndër të tjera.

“LDK është e bindur se dialogun nuk mundet dhe nuk duhet ta udhëheqë ky koalicion qeverisës dhe as Presidenti i vendit. Që të kemi dialog përmbajtjesor dhe të përgjegjshëm duhet të mbahen zgjedhet, të dal një qeveri me besim të qytetarëve dhe të arrihet pajtueshmëri e gjerë.Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së”, përfundon reagimi