Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pazari me sovranitetin dhe integritetin e shtetit në dialogun me Serbinë i ka shkaktuar dëm Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se, ka qenë gabim që këto dy shtylla janë paraqitur si pjesë e dialogut me Serbinë.

Ai thotë se, mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që këto i ka prapë të pacenuara.

“Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Haradinaj.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pati paraqitur idenë për korrigjim të kufijve si mundësi për arritje të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, gjë që u përcjell me kundërshti nga faktorë të ndryshëm përfshirë edhe kryeministrin Haradinaj.