Përkundër që nëpër debate publike me qytetarë, kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, thoshte se 90 për qind e rrugëve në këtë Komunë janë të asfaltuara, shumë qytetarë kanë vazhduar me kërkesa për projekte të ndryshme infrastrukturore, njofton Llapi.info

“Me kismet”, i është përgjigjur i pari i Podujevës një banori i cili kërkesën për asfaltimin e rrugës e kishte e bërë në vitin 2014.

Ishte Skender Maloku nga fshati Lluzhan që kërkoi asfaltmin e rrugës e rreth 180 metrave ku banon, e që sipas tij, kanë mbetur pa asfalt qe disa vjet, edhe pse në 2014 thotë se e kishte përgatitur projektin.

“Në muajin 7 a 8 2014 e kam ba projektin dhe e kam dorëzu në Komunë. Jam kanë në zyrën tënde dhe aty ka qenë edhe drejtori Durim Salihu që ka thanë se ka me u shtrua dhe se buxheti është ndarë. Në 2018 ka ardhë kompania e ka përgatit për asfalt, po drejtori Hamdi Jaha nuk i ka lanë gjoja se nuk është punu si duhet. Sivjet i kanë qit dy kamionë zhavorr edhe e kanë lënë ashtu. Ju po thoni kismet, kismet, po po du me ditë a ka shpresë me u asfaltu”, ka thënë Skender Maloku.

Image may contain: 3 people, people sitting, table and indoor

Por “kismetin” për asfaltimin e rrugës e ka marrë edhe tani, por jo nga drejtorët. Tani “kismetin”, Maloku e ka marrë pikërisht udhëheqësi i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ndërsa “myzhdeja” për asfaltim vazhdon të zvarritet.

“Me kësmet”, ishte përgjigja e shkurt e Veliut drejtuar Malokut në foltore.

Përveç tij, edhe shumë qytetarë tjerë adresuan te kreu i Komunës dhe drejtorë të Drejtorive për problemet të cilat ballafaqohen çdo ditë, sidomos në ato infrastrukturore.

Gani Maloku nga Majaci theksoi se dy rrugë në këtë fshat janë në gjendje, siç e ka quajtur, të mjerueshme. Sipas tij, meremetimi i tyre deri më tani është bërë me mjete vetanake, ndërsa komuna sipas tij, nuk iu ka dalë në ndihmë.

“Rruga e Malokve në këtë fshat është në gjendje shumë të vështirë. Po ashtu edhe rruga që lidh fshatin Majac me Lupçin e Poshtëm dhe më gjerë, a është në projekt a jo se është në gjendje të mjerueshme. Është e pamundshme që fëmijët tanë të shkojnë në shkollë si duhet edhe prej kanalizimeve dhe ujit që ka dalë krejt mbi ujë. Nuk kemi informime se as kur do të bëhen. Asnjë intervenim në këto rrugë s’është bërë, meremetimin e tyre kemi bërë ne vetë më mjete vetanake”, ka thënë ai.

Asfaltime të rrugëve kërkuan edhe Ahmet Beqiri nga fshati Sfeçël, përfaqësuesi i fshatit Lluashë (Duati), i cili tha se në këtë fshat ka rrugë me kilometra pa asfalt. Asfaltime rruge kërkuan edhe banorë nga fshati Dumnicë e Epërme, Siboc e Metergoc.

Image may contain: 4 people, people sitting and indoor

Edhe pse në disa pjesë të këtyre fshatrave s’kanë filluar punimet, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, ka thënë se punimet janë të parapara të realizohen këtë vit, po thuajse për të gjitha këto kërkesa.

Ndërkohë, Në këtë takim të mbajtur në sallën e Kuvendit të Podujevës, Veliu ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktivitetet e tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, si dhe projektet dhe aktivitetet që janë në proces dhe ato të planifikuara për realizim.

Veliu ka shtuar se projektet e miratuara në Kuvend, për vitin 2019, janë duke u realizuar dhe janë në proces të realizimit, sipas planit dinamik./Llapi.info

Image may contain: 1 person, sitting and indoor