Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thënë se diplomacia e Kosovës është në kolaps për shkak të dështimit të Behgjet Pacollit si kryediplomat. Ka thënë se ambasadorët e Kosovës ndodhen në situatë të rëndë për shkak të dështimit të udhëheqësit aktual të MPJ-së.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka thënë se diplomatët e Kosovës s’duhet t’i kenë dy qëndrime për dialogun dhe për asnjë temë tjetër. Për këtë ka kërkuar nga MPJ-ja që ta kryejë punën dhe t’i njoftojë ambasadorët me shkrim se çfarë qëndrimi të mbajnë për dialogun me Serbinë.

Ish-shefi i diplomacisë kosovare e ka komentuar edhe dështimin e Samitit të Parisit.

Në një intervistë për Express, Hyseni, ka thënë se ky takim vetëm është shtyrë. Ka kërkuar të mos nxitohet për të shkuar në dialog me Serbinë, por të ndërtohet një platformë e qartë që në këtë proces të shkohet për njohje.

Prej 15 shkurtit të vitit 2018 s’ka pasur asnjë njohje për Kosovën. Si shpjegohet kjo në aspektin politik dhe diplomatik?

Skënder Hyseni: Janë dy arsye thelbësore. E para është dështimi në rrafshin e njohjeve të reja dhe me gjasë edhe tërheqja e ndonjë njohjeje. Kjo është pasojë e paaftësisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe paaftësisë totale të ministrit të jashtëm për ta bërë punën e vet. Domethënë, përfundimisht, mund të konstatojmë se Kosova s’ka ministri të jashtme dhe as ministër të jashtëm. Është një diplomaci e çakorduar. Dhe këtu nuk kanë faj diplomatët e shpërndarë nëpër botë. Përgjegjësinë kryesore e kanë ministri dhe kabineti i tij. Ata s’kanë udhëzime se si të veprojnë nëpër botë. Në MPJ s’kanë as dije elementare se diplomatëve duhet t’iu dërgohen udhëzime të përditshme se çfarë duhet të bëjnë në të gjitha rrafshet, si te njohjet, si te diplomacia ushtarake dhe policore. Ka një mungesë totale të punës së kësaj ministrie.

Megjithëkëtë, Pacolli, kur ishte bërë shef i MJP-së, kishte thënë se do t’i bënte 160 njohje brenda këtij mandati, apo jo?

Skender Hyseni: Le që ky ministër s’mund të sjellë njohje, por kam drojë se shkaku i këtij ministri, shumë njohje edhe kanë ikur edhe në të kaluarën. Ajo që ka thënë ky s’ia vlen as të komentohet. Gjendja në diplomaci është e mjerueshme. Është e habitshme pse lejohet kjo gjendje në diplomacinë e Kosovës.

Janë përmendur 15 vende që e kanë tërhequr njohjen.

Skënder Hyseni: Iu referova përfoljeve nëpër media se ka pasur tërheqje të njohjeve. Në rend të parë, nuk jam në dijeni se ekziston akti i tërheqjes së njohjes në të drejtën ndërkombëtare. Një shtet mund të ngrijë raportet tërësisht me shtetin tjetër. Uashingtoni dhe Tirana s’kanë pasur raporte një kohë të gjatë, madje as ambasadë s’kanë pasur, por Tirana i ka njohur ShBA-të si shtet. Edhe Uashingtoni e ka njohur Shqipërinë si shtet. Është rrezik që shumë vende mund t’i ngrijnë raportet me Kosovën ose t’i ndërpresin raportet diplomatike. Nuk i besoj diplomacisë serbe dhe as Daçiqit, sepse ai gënjen vazhdimisht. Por, për fat të keq, gjendja e diplomacisë kosovare është në gjendje të mjerë. S’ka asgjë më të keqe sesa kur e dëgjon ministrin e jashtëm duke thënë se Serbia i ka fajet pse s’jemi mirë në diplomaci. Pse, çfarë kemi pritur, që Serbia të na ndihmojë në diplomaci? Jo, jo. MPJ-ja në mandatin e parë ka pasur të arritura të jashtëzakonshme. E ka përmbyllur edhe procesin e Gjykatës Ndërkombëtare në mënyrën më të suksesshme që vazhdon të jetë fitorja më e madhe diplomatike e Kosovës deri më sot. Që nga qeveria e parë pas shpalljes së pavarësisë e këtej, për fat të keq, vetëm është degraduar.

Se ka probleme në diplomaci është vërtetuar me rastin e përplasjes së Kryeministrit me Ambasadoren e Kosovës në ShBA. Për shembull, për dialog ekzistojnë dy qëndrime: njëri i presidentit e tjetri i Kryeministrit.

Skënder Hyseni: Diplomatët e Kosovës s’duhet të kenë dy qëndrime për asnjë temë dhe këtu është problemi. Është detyrë e ministrit të punëve të jashtme t’iu dërgojë instruksione të qarta, të shkruara, që duhet t’i marrin për çdo temë të madhe. Çdo diplomat duhet ta flasë të njëjtën gjuhë. Nuk i lejohet asnjë diplomati të ketë qëndrim personal për asnjë temë. S’iu lejohet të ndërtojnë qëndrim të vetin.

A e kanë vështirësuar edhe punën e njohjeve debati për dialogun me Serbinë dhe dy qëndrimet për kufijtë?

Skënder Hyseni: Jo, procesin e njohjeve nuk e ka dëmtuar debati rreth dialogut, tarifës, asaj e kësaj. Punën e njohjeve e ka dëmtuar mungesa e kornizës së dialogut. Domethënë, diplomacia e Kosovës nuk ka arritur të përçojë në botë se për çka bëhet ky dialog. Për shumë vende të botës, dialogu Kosovë-Serbi bëhet për statusin e Kosovës dhe ne kemi një diplomaci që nuk është e zonja për të përçuar mesazh te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën se dialogu me Serbinë s’ka të bëjë me statusin, sepse statusi ka përfunduar. Diplomacia e Kosovës ka material të mjaftueshëm për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Nuk duhet asgjë tjetër, mjafton të përdoret ai material që e kam lënë në MPJ edhe si libër, si botim i veçantë. Nuk ka nevojë për argumentim tjetër.

Si shpjegohet dështimi i Samitit të Parisit, ku Kosova dhe Serbia do të takoheshin pas Samitit të Berlinit?

Skënder Hyseni: S’ka dështuar, por vetëm është shtyrë një takim i mundshëm. Në fund të fundit, në vazhdimësi kam thënë se dialogu me Serbinë s’është prioriteti numër një i Kosovës dhe nuk është me urgjencë. Kosova duhet të shkojë në dialog me Serbinë e përgatitur mirë. Bashkësia ndërkombëtare nuk bën të bëjë presion mbi Prishtinën, kur kemi të bëjmë me kushtëzimet që Serbia i bën në raport me dialogun. Nuk duhet t’iu jepet komoditeti i kushtëzimit të dialogut as Serbisë dhe as Kosovës, nëse është BE-ja ajo që e ndërmjetëson dialogun me përkrahjen e SHBA-së. E kam thënë edhe para Samitit të Berlinit se nuk pres asgjë nga ky takim. E kam thënë se s’pres asgjë as nga Samiti i Parisit, sepse s’mund të ketë marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, siç pretendonin disa që s’kanë informacione elementare se sa e ndërlikuar është kjo çështje. E ndërlikuar është bërë duke mos pasur kornizë të qartë se në dialog duhet të shkohet për njohje. Po shkohet në dialog mes Prishtinës dhe Beogradit dhe jo në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Megjithëkëtë, pati akuza se Kosova bëri që takimi të dështojë edhe për shkak të taksës?

Skënder Hyseni: Bashkësia ndërkombëtare po bën presion të madh për heqjen e tarifës për ta vazhduar dialogun. Bashkësia ndërkombëtare e ka gabim, sepse s’duhet të bëhet presion vetëm te njëra palë. Pse t’i ofrohet komoditeti Serbisë për ta kushtëzuar dialogun? Me çka e meriton Serbia të drejtën për ta kushtëzuar dialogun? Serbia do të duhej të detyrohej që të hynte në dialog. Nuk dua ta analizoj punën e taksës. Nga pikëpamja ekonomike është e diskutueshme, por nga pikëpamja politike ka qenë vendim i duhur dhe i qëlluar. Në vend që të merremi me njëri-tjetrin, është mirë që gjithë atë energji ta drejtojmë kah ShBA-ja, sepse diplomacia amerikane hapet para argumenteve. Nuk mund ta marrë Kosova barrën e dështimit të dialogut e Serbia të përkëdhelet dhe t’i jepet e drejta. Kosova s’duhet të trajtohet me standarde të dyfishta. Duhet të kemi kujdes edhe si sillemi me bashkësinë ndërkombëtare. Duhet me butësi dhe urtësi ta shpjegosh pozicionin tënd.