Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka shprehur shqetësim për dëmtimin aksidental të një artefakti (Pitosi) në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Në njoftimin e bërë nga MKRS, thuhet se ministri Gashi ka kërkuar me urgjencë raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, pra dëmtimit nga pakujdesia e rëndë dhe e papranueshme e Pitosit, i cili ka qenë i ekspozuar në ambientet e IKMM-së.

“Sipas Ligjit Nr. 02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të luajtshme të trashëgimisë kulturore janë vepra të dënueshme dhe përbëjnë bazë për përgjegjësi në përputhje me legjislacionin penal dhe kundërvajtës, andaj sapo të pranohen raportet e të gjitha institucioneve dhe personave kompetentë në lidhje me këtë rast do të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe do të merren të gjitha masat ligjore për këtë rast.

MKRS-ja siguron opinionin publik dhe të gjithë mekanizmat institucionalë se në çdo rast të tillë ajo nuk do ta tejkalojë pa llogaridhënie, duke vepruar me vendosmëri drejt zbatimit të kuadrit ligjor, i cili e obligon atë në korniza të mandatit për të ruajtur dhe mbrojtur me rigorozitet vlerat e objekteve dhe aseteve të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Ndryshe, gjatë ditës së premte në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, derisa po bëhej bartja e një artefakti, disa punëtorë të cilët po punonin, i kishte rrëshqitur artefakti i lidhur me litar dhe ai ishte thyer.

Artefakti i thyer, i njohur si Pitos, i takon periudhës së Antikës e deri edhe Mesjetës, dhe nga ky lloj, në Kosovë ekzistojnë disa sosh.