Gjykata Supreme ka kthyer në rigjykim rastin e Pjetër Nrecajt nga Gjakova, i cili në gusht të vitit 2018 ka vrarë gruan dhe vajzën e tij
Në një njoftim për media, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Tani, rasti i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rivendosje, ndërsa Pjetër Ndrecajt i vazhdohet paraburgimi.
“Gjykata Supreme, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko-penale, bazuar në faqen e tretë të procesverbalit të shqyrtimit fillestar, ka gjetur se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, pasi që akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vra aksidentalisht”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Ndërkaq theksohet se Kolegji i Gjykatës Supreme ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Në rrethana të këtilla, Kolegji i Gjykatës Supreme, gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje”, theksohet në njoftim.
Tutje thuhet se me kthimin e çështjes në rivendosje, sipas Gjykatës Supreme, gjykata e shkallës së parë, në aspektin formal, duhet të nisë nga shqyrtimi fillestar, mirëpo të mos e pranoi fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike.
Për vrasjen e 7 gushtit të vitit 2018, Nrecaj nga Gjykata Themelore në Gjakovë ishte dënuar me 24 vjet burgim.
Lidhur me këtë vendim qenë organizuar edhe protesta, e kishte pasur shumë reagime.
Më pas Gjykata kishte marrë vendimin që Nrecaj të dënohet me burgim të përjetshëm.