Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se projekti për ndarjen e Kosovës ka dështuar.
“Ky projekt që ka dështuar ndonëse ideja nuk ka vdekur. Në Kosovë është quajtur korrigjim i kufirit kurse në Serbi “rasgranicenje”(caktim i kufijve). Kësi soji mund të themi se kemi arsye për gëzim por jo për festim”.
Në një tryezë të organizuar nga instituti RIDEA, ku pjesëmarrës ishte edhe Presidenti Thaçi, Kurti ka theksuar se sa i përket bashkimi të Luginës së Preshevës me Kosovën se pengesa për këtë është në Beograd dhe jo në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
“Nuk është Prishtina që e ndalon këtë. Ata i kanë dy shtylla kryesore, e para referendumi i majit 1992 dhe e dyta lufta e UÇPMB-së dhe për këto të dyja pengesa është Beogradi. Nuk kalon rruga e Kosovës për në Beograd por rruga e Serbisë për BE kalon nëpër Prishtinë. Po ta njihte Serbia Kosovën shumë shpejt do të bënte hapa të mëdhenj drejt Brukselit”.
“E kam një propozim. Ta bëjmë anëtarësimin në OKB, njohjen e Serbisë dhe pastaj bëjmë korrigjim të kufirit. Na thanë bëjeni demarkacionin se ju japim vizat dhe tash vizat nuk janë askund. Një herë njohja e Kosovës, ulësja në OKB pastaj shohim a ka nevojë për korrigjim”.
“Nuk mund të jemi serioz nëse japim premtime në emër të Rusisë dhe Kinës. Po dëgjojmë premtime në Kosovë në emër të këtyre. Me 16 qershor janë bërë 16 muaj prej marrëveshjes për korrigjim të kufirit në Kullë e Qakorr, as që është formuar trupi i përbashkët punues dhe për këtë e ka përgjegjësinë kryeministri. Kushdo që flet për korrigjim të kufirit me Serbinë le të na e korrigjojë atë me Malin e Zi. Jemi të bindur si subjekt politik që zgjidhja e duhur është me hapat e duhur”.
Kurti ka deklaruar se në bazë të 33 marrëveshjeve të arritura deri tash më Serbinë, duhet të bëhet shqyrtim i procesit të dialogut.
“Pa u bërë kjo gabimet e së ardhmes janë të garantuara. Serbia na ka neve borxh dhe është gabim që nuk po ia kërkojmë borxhin Serbisë”.